Lidhje

Debatet e kandidatëve presidenciale në Shtetet e Bashkuara


Kandidatët presidencialë janë konfrontuar me njeri-tjetrin në një numër debatesh, që synojnë të krijojnë për zgjedhësit një ide lidhur me qëndrimin e kandidatëve për çështje të rëndësishme.

Kritika të mprehta dhe sulme të drejtpërdrejta. Një mundësi për kandidatët që të shpalosin qëndrimet e tyre.

Të gjitha këto i gjen në debatet presidenciale. Gara presidenciale e vitit 2008 ka më shumë kandidatë, të cilët kanë zhvilluar më shumë debate se në çdo garë tjetër. Dhe ka një arsye të rëndësishme për të gjitha këto përplasje. Konsulenti i komunikimeve politike, Pitër Fen shpjegon. “Kjo është hera e parë që prej vitit 1952, që në zgjedhje nuk kandidon presidenti apo nën-presidenti, apo një kandidat që e ka thuajse të sigurtë emërimin e partisë. Prandaj nuk dihet se kush do të jetë as kandidati demokrat e as ai republikan”. Dhe me që në këtë garë ka shumë kandidatë, secili prej tyre i shfrytëzon debatet për të tërhequr vemendje.

Candice Nelson është pedagoge në Universitetin Amerikan: “Secili kandidat përpiqet të thotë diçka që të tërheqë vemendje dhe të përsëritet shpesh nga shtypi”. Kjo formë debatesh presidenciale filloi në vitin 1976, kur presidenti i atëhershëm Xherald Ford debatoi kundërshtarin e tij demokrat Xhimi Karter.

Që prej atëhere, debatet mes kandidatëve presidencialë kanë qënë pjesë e zgjedhjeve. Megjithatë debatet nuk janë diskutime mes kandidatëve, por drejtuesi i debatit i bën pyetje një kandidati të caktuar dhe kandidatët e tjerë komentojnë.

Që nga zgjedhjet e vitit 1988, komisioni i pavarur mbi debatet presidenciale ka organizuar 3 debatet më të rëndësishme para ditës së zgjedhjeve. Por ka ende disa muaj para se të zhvillohen këto debate. Tani debatet po zhvillohen jo vetëm në televizion, por edhe në Internet.

Debate të sponsorizuara nga rrjeti televiziv CNN dhe faqja e internetit Utube u japin mundësi votuesve t’u bëjnë pyetje kandidatëve presidencialë. Dy partitë më të mëdha e kanë përqafuar këtë zhvillim të ri. Shumë debate të tjerë do të zhvillohen deri në ditën e zgjedhjeve. Dhe ç’do të nxjerrin votuesit nga këto debate? Kendis Nelson e Universitetit Amerikan parashikon një model të njohur. “Nëse i hedhin një vështrim historisë së debateve, ajo që mbahet mend nuk janë deklaratat e ndryshme të kandidatëve, por gabimet dhe gafat që ata bëjnë”. Si kandidatët edhe media mezi presin t’i vërsulen atij kandidati që gabon. //rd//

XS
SM
MD
LG