Lidhje

Një garë me kohën: Arti i vjedhur nga nazistët në duart e pronarëve


Historianët llogarisin se gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët vodhën punime artistike me një vlerë prej rreth dy miliardë e gjysmë dollarësh, më shumë se vlera e të gjithë artit në Amerikë në atë kohë. Arkivat kombëtare të Shteteve të Bashkuara pranuan më 1 nëntor dhurimin e një albumi origjinal fotografish ku dokumentohen disa nga punimet e vjedhura nga nazistët. Ky është volumi i 40-të i serisë së albumeve dhe përmban prova origjinale të pronësisë së punimeve artistike që mungojnë.

Kapaku prej lëkure i albumit është i çngjitur, letra e një cilësie të dobët që i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Por historianët e quajnë këtë libër shumë të vlefshëm. Ai është i mbushur me sekrete. Sekrete që zbulojnë misteret e vjedhjes së artit nga Nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjyqi i Nurembergut, 18 dhjetor 1945. 39 të ashtuquajtura albume të Hitlerit paraqiten si evidencë, libra me fotografi të artit nazist vjedhur nga koleksionet artistike hebraike. Hitleri i shiti këto punime dhe i përdori paratë për të financuar luftën. Bëhet fjalë për një shumë tepër të madhe parash. Ky album ishte i pari që u gjet që nga Gjyqi i Nurembergut. Ai dokumenton 50 piktura, shumica e tyre të kthyera tashmë tek pronarët e tyre.

Ndihmësi i arkivës, Michael Kurtz. “Aty tregohet me saktësi sesa e përhapur ishte vjedhja. Është një dokumentim fotografik që nuk mund të krahasohet me përshkrimet në libra apo studimin e dokumenteve të kohës”. Afaristi amerikan dhe koleksionisti i artit, Robert Edsel, i dhuroi Arkivave Kombëtare të parin e dy albumeve. Albumin atij ia dha familja e një ushtari amerikan. “Ushtari e gjeti atë kur ishte dislokuar në Berchtesgaden në maj të vitit 1945 në përfundim të luftës. Ishte në Berghof kur e mori dhe e futi në çantën e tij, e solli këtu dhe albumi mbeti në papafingon e tij për shumë e shumë vjet”.

Historianët llogarisin se ka 85 albume të tilla nga të cilat janë gjetur vetëm 41. Arkivistët shpresojnë se zbulimi i këtij albumi do të çojë në zbulime të tjera. Dhe me më shumë fotografi, viktimat e nazizmit do të kenë prova për të rimarrë veprat e tyre artistike thotë arkivisti Greg Bradsher. “Në Amerikë, në të gjitha shtetet amerikane ligji thotë se kur një gjë vidhet, mbetet gjithmonë e vjedhur. Edhe në se kalon nga njëra dorë në tjetrën në formë të rregullt, ajo mbetet e vjedhur. Shumë vende evropiane kanë ligje që thonë se në se e ke blerë dhe mund ta provosh që e ke blerë, është e jotja”.

Është një garë me kohën, me faqet që vjetërohen dhe me brezin e Luftës së Dytë Botërore që po shuhet. Përsëri Robert Edsel.“Po të shohësh rreth e rrotull, në se ke patur një prind që ka luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e ke më”. Edsel thotë se vetëm në se zgjidhen më shumë mistere të tilla, punimet e artit do të shkojnë në duart e pronarëve të tyre.//rd//

XS
SM
MD
LG