Lidhje

Diskutim: Vështirësitë e tranzicionit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni


Para pak ditësh Instituti Amerikan i Paqes në Uashington së bashku me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ftoi disa të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të folur mbi vështirësitë e këtyre vendeve gjatë tranzicionit. Pjesmarrësit janë specializuar në një program të quajtur HOPE, i cili administrohet nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan në bashkëpunim me Agjencinë amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID.

Pjesëmarrësit në konferencën e organizuar mbi tranzicionin drejt demokracisë në Ballkan nënvizuan problemet që vërehen në fushat politike, ekonomike dhe sociale në vendet e tyre gjatë kësaj periudhe. Përfaqësuesja nga Kosova, Fatmire Kollçaku, e cila është edhe anëtare e parlamentit atje, tha se Kosova nuk mund të ketë një ardhme të mirë pa një ekonomi të fortë. “Siç e dini ne jemi vend i varfër, dhe pa një ekonomi të qendrueshme ne nuk kemi të ardhme edhe nëse statusi do të përcaktohet. Edhe nëse do të kemi Kosovën e pavarur, nëse gjërat nuk ndryshojnë, ne nuk mund të kemi të ardhme,” tha zonja Muçkolli.

Përfaqësuesja nga Shqipëria, Zemaida Mozali, drejtuese e zyrës për marrëdhëniet me jashtë në bashkinë e qytetit të Shkodrës shtroi disa nga problemet sociale me të cilat përballet vendi gjatë periudhës së tranzicionit, mes të cilave ajo theksoi emigracionin dhe lëvizjet e brendshme demografike. “Ka mungesë politikash qeveritare në kontrollimin e këtyre lëvizjeve të popullsisë, dhe ato kanë si pasoja pozitive ashtu edhe negative. Largimi i trurit është shqetësues, për arsye se ne na mungon kontributi i këtyre njerëzve në punën tonë në rrugën drejt demokracisë.” Zonja Mozali foli me nota më optimiste për gjendjen e arsimit në Shqipëri duke vënë në dukje rritjen e numrit të studentëve të regjistruar në universitete shtetërore dhe private.

Prezantimi i përfaqësueses nga Maqedonia, zonjës Ana Nikolovska, u përqendrua në gjendjen ekonomike gjatë periudhës së tranzicionit. “Që nga viti 1991 Maqedonia filloi një proces të përshpejtuar transformimi ekonomik. Dhe raporti i fundit i Bankës Botërore në vitin 2006 e renditi Maqedoninë në vendin e katërt për reformimin më të mirë mes 178 vendeve,” tha zonja Nikolovska.

Megjithë vështirësitë e tranzicionit drejt demokracisë të përmendura nga pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në konferencë, prezantimet e tyre u mbyllën me optimizmin se e ardhmja e vendeve të tyre është në NATO dhe në Bashkimin Evropian.//rd//

XS
SM
MD
LG