Lidhje

Prodi: Pavarësia është pikëmbërritja e procesit të statusit të Kosovës


Kryeministri Italian Romano Prodi deklaroi sot në Tiranë se Pavarësia e parashikuar në planin Ahtisari është pikëmbërritja e procesit për statusin e Kosovës, por, paralajmëroi ai, çdo vendim i nxituar dhe i njëanshëm do të prishte të gjitha përpjekjet për të arritur në këtë vendim. Italia dhe Shqipëria nënshkruan sot gjatë vizitës së kryeministrit Prodi tre marrëveshje bashkëpunimi ku bie në sy ajo për ekstradimet dhe një tjetër për energjinë, që parashikon ndërtimin e një termocentrali në Shqipëri. Kryeministri Italian u takua me presidentin Bamir Topi, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli dhe kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

"Një vizitë tejet e rëndësishme, vizita e një miku të madh, një italiani dhe europiani të madh". Autoritetet shqiptare nuk janë kursyer në vlerësimet e tyre për mbërritjen në Tiranë të kryeministrit Italian, Romano Prodi, vendi i të cilit është kontribuesi më i madh në ndihmat ofruar Shqipërisë në këto vite e që përbën nga pikëpamja ekonomike partnerin kryesor tregtar. Një vizitë e fokusuar në tre çështje: Kosova, integrimi në Nato e BE dhe bashkëpunimi bilateral.

Për Kosovën, kryeministri italian ishte fare i qartë: ajo është çështje europiane dhe pavarësia është pikëmbërritja: "Te kemi si pikëmbërritje njohjen e pavarësisë që është e shkruar dhe në planin Ahtisaari, por të veprohet në bashkëpunim me të gjithë Bashkimin europian pasi përgjegjësia për Kosovën është e BE. Në këto javë kemi punuar shumë dhe ka patur përparim drejt një konvergjence. Dhe kur këmbëngul në nevojën për të mos shkuar drejt vendimeve të nxituara e bëj sepse ky proces konvergjence kërkon ende pak kohë. Por ky operacion i madh do të shkatërrohej në mënyrë të pariparueshme nëse do të kishte veprime të rrëmbyera më 10 dhjetor".

Kryeministri Berisha siguroi se data 10 dhjetor është data e skadimit të mandatit të trojkës dhe se as grupi i unitetit në Kosovë nuk ka një vendim për të ndërmarrë veprime të njëanshme: "Nëse kjo datë ka një përcaktim të qartë për mandatin e trojkës kjo nuk është datë për veprime të njëanshme dhe unë kam shume besim se udhëheqja politike e Kosovës ka të njejtin mendim. Data 10 dhjetor më shumë është meditizuar dhe nuk ka një vendim te grupit të unitetit per kete"

Tema e integrimit si në Nato ashtu dhe në Bashkimin europian ka qenë një tjetër çështje e rëndësishme. Kryeministri italian premtoi angazhimin direkt të Italisë që Shqipëria të marrë një ftesë në takimin e nivelit të lartë të Natos në Bukuresht: "Italia mbështet këtë proces. Dhe në takimin e ardhshëm të Natos në Bukuresht ne do të punojmë që Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria të mund të jenë me të vërtetë mes vendeve anëtare të Natos".

I qartë, larg klisheve diplomatike dhe tepër realist mbi marrëdhëniet Bashkim Europian dhe Ballkan Perëndimor ishte fjalimi i kryeministrit italian në parlamentin shqiptar. "Brukseli duhet ta bëjë të prekshme perspektivën europiane të Ballkanit perëndimor dhe të vendosë boshtet për arritjen e saj në një kohë sa më të shpejtë. Ndërsa vendet e rajonit - deklaroi ai - të vazhdojnë modernizimin dhe rrugën e reformave. Integrimi europian nuk do të jetë i plotësuar përsa kohë vendet e ballkanit perëndimor nuk do të jenë anëtare. Duhet punuar shumë – nënvizoi ai që t’u përgjigjemi mosbesuesve me fakte e të mos lejohen kriza të reja".

Shqipëria, për kryeministrin Prodi, përfaqëson një lidhje më të veçantë me Italinë e cila theksoi ai do të hidhërohej më shumë se të tjerët nëse do të kishte ndonjë hap prapa ndërsa nënvizoi rëndësinë e realizimit të refromave në sistmin e drejtësisë, sistemit zgjedhor e luftën kundër kriminalitetit.

Me vizitën e sotme marrëdhëniet dypalësh pritet të shtyhen më tej përpara. Dy kryeministrat nënshkruan një marrëveshje shumë të rëndësishme për ekstradimet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë. Një marrëveshje tjetër kishte të bënte me energjinë dhe parashikon ndërtimin e një termocentrali në Shqipëri nga kompania Enel. Një marrëveshje e tretë i përkiste bashkëpunimit shkencor mes dy vendeve duke parashikuar një program disa vjeçar. //ad//

XS
SM
MD
LG