Lidhje

Analistët: BE mund ta braktisë Turqinë, por mund të ndodhë edhe e kundërta


Sipas një raporti të kohëve të fundit të Komisionit Evropian, kufizimet e lirisë së fjalës po i minojnë shanset e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në raport thuhet se Turqia, po ashtu duhet të reformojë sistemin e drejtësisë, të luftojë korrupsionin dhe të kufizojë pushtetin ushtarak dhe atë politik. Zyrtarët evropianë thonë, se nëse Turqia përpiqet më tepër për të plotësuar standartet evropiane, ky vend mund të shpresojë për një anëtarësim të plotë në organizatën evropiane, pavarësisht nga fakti, që disa udhëheqës evropianë janë për lidhje më të kufizuara me Turqinë.

Turqia, një vend me shumicë myslimane, që shërben edhe si urë mes Lindjes dhe Perëndimit, është një vend që dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian që prej dekadash. Ka dy vjet që zhvillohen negociatat e anëtarësimit dhe tani kjo çështje është vënë edhe në qendër të debatit nëse duhen zgjeruar më tej, apo jo kufijtë evropianë. Komisioni Evropian thotë, se në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së, Turqia vend nevojitet t’i thellojë reformat dhe t’i përshpjetojë ato.

Komisioneri i Bashkimit për Zgjerimin, Olli Ren, përmendi në veçanti ligjin mbi fyerjen e “turqizmit”, apo ndjenjës kombëtare, që ka ky vend, që është shfrytëzuar për të persekutuar një numër shkrimtarësh.

"Është thjesht e papranueshme për një vend demokratik evropian, që shkrimtarët, gazetarët, akademikët dhe intelektualë të tjerë, apo çdo qytetar, të persekutohen thjesht ngaqë shprehin kritika, edhe pse ato janë vetëm opinione, pa asnjë lloj elementi dhune."- tha zoti Ren.

Zoti Ren thotë se Bashkimi Evropian e ka të qartë, se një sërë krizash politike në Turqi gjatë këtij viti kanë ngadalësuar në një farë mase reformat. Disa analistë druhen se mos opinioni publik dhe ardhja në pushtet e disa udhëheqësve evropianë, që e kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë, mund ta minojnë synimin përfundimtar të negociatave me Ankaranë, për të kurorëzuar përmbushjen e reformave me antarësim. Ja si shprehet Majkëll Emerson, i Qendrës së Studimeve për Politikat Evropiane në Bruksel:

"Disa vende anëtare mbajnë një qëndrim bllokues ndaj procesit, gjë që e bën atë tepër të dyshimtë dhe kontradiktor. Kjo do të thotë që ai të karakterizohet nga paqëndrueshmëria. Zyrtarë të BE-së thonë se ka ardhur koha që të vazhdohet me bisedimet e pranimit. Por Presidenti francez Nicolas Sarkozy, kërkon që bisedimet të pezullohen, deri sa udhëheqësit evropianë të bien dakord me planin e tij për krijimin e një grupi “burrash të mençur”, që të shqyrtojnë të ardhmen e Turqisë."

Franca është paralajmëruar që ky grup nuk mund të shërbejë si një marifet për të mos lejuar zgjerimin e mëtejshëm të radhëve të Bashkimit.

Endrju Daf është anëtar i Parlamentit Evropian dhe një përkrahës i njohur për anëtarësimin e Turqisë në BE. Ai shpreh shqetësim lidhur me propozimin e zotit Sarkozi.

"Mendoj se ideja e tij se ka ardhur koha të shqyrtohet e ardhmja e Evropës, është absurde, sepse ne kemi tashmë disa vjet që po e shqyrojmë intensivisht këtë çështje. Politikanët evropianë janë të ndarë për çështjen e anëtarësimit të Turqisë. Por ata janë të një mendimi lidhur me rëndësinë strategjike të këtij vendi." - thotë ai.

Zyrtarët evropianë shqetësohen, se një pjesë e madhe e energjisë vjen nga Rusia. Tubacionet përmes Turqisë, ndërkohë, mund ta sjellin gazin nga Azia Qendrore dhe Irani, duke e anashkaluar Rusinë.

Për momentin, BE-ja është zyrtarisht e përkushtuar për anëtarësimin e Turqisë në radhët e veta. Përkrahësit e Turqisë thonë se nëse ushtrohet presion për përshjetimin e procesit të pranimit, ka rrezik të humbin mbështetjen publike. Por, në të njëjtën kohë, shtojnë ata, nëse bisedimet zvarriten pafundësisht, ka mundësi që vetë Turqia t’i braktisë ato.//lk

XS
SM
MD
LG