Lidhje

Komisioni zgjedhor në Pakistan refuzon kandidaturën e Navaz Sharif


Komisioni i zgjedhjeve në Pakistan nuk pranoi dokumentat e udhëheqësit të opozitës, Navaz Sharif, për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm.

Një zyrtar i lartë i komisionit të zgjedhjeve në qytetin e Lahores tha sot se dokumentat e zotit Sharif nuk u pranuan për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Ish kryeministri nuk e përfilli vendimin e komisionit, duke u thënë përkrahësve të tij se ai do të vazhdojë të luftojë për popullin e Pakistanit pavarësisht se është apo jo në pushtet.

Zoti Sharif do të takohet sot me ish-kryeministren tjetër të Pakistanit, Benazir Bhutto, në përpjekje për ta bindur atë që të bashkohet me fushatën e tij për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të janarit. Zonja Bhutto ka thënë se përkrahësit e saj do të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 janarit në shenjë proteste, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që Presidenti Pervez Musharraf vendosi para një muaji.

Ambasadorja amerikane Anne Paterson u takua sot me zotin Sharif për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e ardhshme. Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike të marrin pjesë në zgjedhje për të siguruar që ato janë të lira e të drejta.

XS
SM
MD
LG