Lidhje

Partia Rusia e Bashkuar fiton shumicën në zgjedhjet parlamentare


Vendet evropiane u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara në thirrjen drejtuar Rusisë për të hetuar ankesat lidhur me praktikat jodemokratike në zgjedhjet e fundit ku partia e Presidentin Vladimir Putin fitoi shumicën dërmuese të votave. Ndërkëhë që janë numëruar puthuajse të gjitha votat, Partia Rusia e Bashkuar e zotit Putin, ka fituar mbi 64 për qind të votave në zgjedhje. Partia komuniste ka dalë e dyta, me rreth 12 për qind, ndërsa dy parti të tjera pro-Kremlinit fituan secila nga 7 dhe 8 për qind. Presidenti i OSBE-së tha se zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë frikësimesh dhe kërcënimesh ndaj opozitës. Zyra e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, tha se zgjedhjet në Rusi “nuk ishin as të drejta dhe as demokratike”. Udhëheqësi i opozitës në Rusi, Gary Kasparov, i denoncoi votimet, duke i cilësuar ato si “më të ndyrat” në historinë moderne të Rusisë. Zoti Putin nuk e zuri me gojë vlerësimin e të huajve, duke thënë se legjitimiteti i Parlamentit “pa dyshim që është rritur” sipas rezultatit të anketimeve.

Ndërkohë që rreth 98 përqind e votave janë numëruar, partia Rusia e Bashkuar fituese, duke marrë 64 përqind të votave. Dy parti pro-Kremlinit, partia Liberal Demokrate dhe Rusia e Drejtë, gjithashtu arritën të siguronin vende në dhomën e ulët të parlamentit rus.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vladimir Churov thotë se do të duhen disa ditë deri sa të shpallet zyrtarisht rezultati përfundimtar. Por ai tha se mesa duket rezultatet paraprake nuk do të ndryshojnë. Udhëheqësit e komunistëve, të cilët fituan vende me një mbështetje prej 11 pëqind të votave si dhe partia Bashkimi i Forcave të Djathta, kanë në plan të sfidojnë rezultatet.

Anëtarët e opozitës janë ankuar prej javësh se Kremlini po manipulonte zgjedhjet në favor të partisë së zotit Putin. Ata thonë se opozitës i ishte mohuar pasqyrimi në median ruse dhe se policia kishte shpërndarë tubimet dhe kishte arrestuar drejtuesit e tyre. Akuzat e opozitës janë mbështetur nga një mision vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Konkluzioni bazë i njoftuar në një konferencë shtypi në Moskë është se vota e së dielës “dështoi të përmbushë shumë standarde dhe angazhime të OSBE-së”.

Identiteti dhe platforma e partisë Rusia e Bashkuar janë të lidhura ngushtë me Presidentin Putin dhe të ashtu-quajturin plani Putin, mbi të cilin u bazua fushata e partisë. Megjithatë, anketa të opinionit publik tregojnë se votuesit nuk e dinë se ç’përmban plani dhe se partia nuk e ka shpjeguar atë. Përveç kësaj, pas tre muajsh në Rusi do të votohet përsëri për një president të ri që do t’i zërë vendin Presidentit Putin.

Analisti politik Viktor Kremenyuk i Institutit Amerikano-Kanadez i tha Zërit të Amerikës se një program politik i pasigurtë sjell një çështje tejet shqetësuese për udhëheqjen e ardhshme. Kremenyuk thotë se presidenti i ri mund të jetë pro Rusisë së Bashkuar, por jo me doemos. Ai thotë se udhëheqësi i ri mund të ofendohet nëse partia i qendron besnike zotit Putin gjë që mund të çojë në marrëdhënie të acaruara ndërmjet presidentit të ri dhe parlamentit.

Ish kampionati botëror i shahut Garry Kasparov, udhëheqës i një koalicioni politik që nuk u lejua të nxirrte kandidatë në zgjedhje, gjithashtu shprehu shqetësime rreth programit të partisë Rusia e Bashkuar. “Nuk e di nëse ata kanë plane se si ta përdorin kërë referendum, dyshoj nëse ende kanë një plan të tillë. Fakti është se jo vetëm po grabisin votat por se po përdhunojnë sistemin demokratik,” thotë Kasparov.

Kushtetuta ruse nuk e lejon presidentin Putin që të kandidojë për një mandat të tretë rrjesht. Analistët politikë thonë se ai mund të përpiqet të anashkalojë këtë pengesë duke vënë në pushtet një president të pafuqishëm i cili mund të japë dorëheqjen, gjë që do t’i jepte zotit Putin mundësinë për t’u kthyer në krye për një mandat të tretë presidencial, të shkëputur nga mandatet e mëparshme. Udhëheqësi i Kremlinit gjithashtu ka lënë të kuptohet se mund të jetë i interesuar të bëhet kryeministër. //ad//

XS
SM
MD
LG