Lidhje

Ministri i jashtëm sllovak: Statusi i Kosovës të zgjidhet me negociata

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Shefi i diplomacisë së Sllovakisë, Jan Kubis, tha sot në Prishtinë se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte ajo e arritur përmes negociatave dhe kompromisit.

Ai theksoi se qeveria e tij nuk përkrah veprime dhe zgjidhje të njëanshme, ndërsa u zotua se vendi i tij do të vazhdojë praninë ushtarake dhe civile pavarësisht se cilat do të jenë zhvillimet politike.

Zoti Kubis, i cili u takua me udhëheqësit kryesor politikë vendas e ndërkombëtarë, nuk deshi të komentojë, siç tha ai, rreth skenarëve të mundshëm, para dorëzimit të raportit të treshes ndërkombëtarë tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky raport pritet që të dorëzohet të hënën.

“Ne, në çfarëdo rrethanash, mendojmë se ende ka kohë për bisedime, dhe bisedime do të ketë edhe në Këshillin e Sigurimit, pas dorëzimit të raportit të treshes ndërkombëtare. Ne ende nuk dimë se çfarë përmban raporti i treshes," - tha diplomati sllovak, duke përsëritur qëndrimin se qeveria e tij është në favor të një zgjidhjeje të negociuar dhe jo të hapave të njëanshëm.

Ministri Kubish, tha se pavarësisht skenarëve të mundshëm të zhvillimeve në Kosovë, vendi tij do të vazhdojë të mbajë praninë ushtarake ne kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Ai madje tha se kanë filluar përgatitjet edhe për personelin civil në kuadër të misionit të ardhshëm të Bashkimit Evropian në Kosovë. Sllovakia tha ai do të mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në kuadër të pranisë ndërkombëtare për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Ndërkohë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joakim Ryker, shprehu sërish përkushtimin për të ruajtur tërësinë tokësore të Kosovës dhe port t’u përballur me çdo sfidë ndaj sigurisë që mund të paraqitet në Kosovë.

“Policia e UNMIK-ut, SHPK-ja dhe KFOR-i janë të vendosur që të luftojnë çfarëdo lloj dhune nga kushdo që ajo nxitet. Ju e dini se mandati i UNMIK-ut është që të administrojë në tërë Kosovën dhe mandati i KFOR-it është që të veprojë në tërë Kosovën, përfshirë edhe pjesën verioret ë saj”, - tha shefi i UNMIK-ut.

Përfaqësuesit e Prishtinës kanë paralajmëruar se pas dhjetë dhjetorit do të ndërmarrin veprime për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por edhe sot presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova do të veprojë në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

"Unë e informova ministrin për qëndrimin tonë të qartë se kemi përfunduar një proces me treshen, se qëndrimi jon është se nuk duam bisedime dhe nuk pranojmë bisedime të tjera dhe natyrisht se do të ecet drejt një lëvize të përbashkët pas raportit të treshes apo të bashkërenduar për marrjen e vendimit nga ana e parlamentit të Kosovës”, - tha Presidenti Sejdiu.

Sllovakia si anëtare e Bashkimit Evropian, radhitet në mesin e vendeve me qëndrim më të rezervuar ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. Në mesin e këtyre vendeve është edhe Spanja të cilën presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pritet ta vizitojë nesër, në përpjekje për të siguruar mbështetje për statusin e Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG