Lidhje

Serbia-kundërpërgjigje ndaj vendeve që njohin pavaresinë e Kosovës


Serbia po përgatit ndërmarrjen e hapave për t’u hakmarrë kundër vendeve që njohin çdo shpallje të njëanëshme të pavarësisë nga ana e Kosovës në të ardhmen. Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç thotë se ministria e tij po punon mbi një paketë masash nga “të lehta deri në shumë të ashpra”. Ai i tha sot parlamentit se Beogradi është përgatitur për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet që nuk përfillin sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Serbisë.

Zoti Jeremiç nuk tha se çfarë masash të tjera janë duke u shqyrtuar. Udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se do të shpallnin pavarësinë në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare pas raundit të fundit të bisedimeve mbi çështjen e statusit. Këto bisedime që u ndërmjetësuan nga treshja ndërkombëtare përfunduan muajin e kaluar në Austri pa ndonjë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe disa vende të tjera kanë lënë të kuptohet se do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Rusia thotë se njohja e Kosovës si shtet do të ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Udhëheqësit serbë thonë se duan t’i vazhdojnë bisedimet derisa të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të pranueshme si për Beogradin edhe për Prishinën. Ata i kanë ofruar Kosovës autonomi të gjërë me shumë elementë të shtetësisë. Udhëheqësit e Kosovës këmbëngulin për një pavarësi të plotë nga Beogradi.

Treshja e ndërmjetësve ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia duhet të raportojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi raundin e fundit të bisedimeve deri në 10 dhjetor.

XS
SM
MD
LG