Lidhje

Presidenti Bush: Irani ende përbën rrezik


Presidenti Bush shprehu besimin se Irani ende përbën rrezik, megjithë një raport të ri të zbulimit amerikan sipas të cilit Teherani ndaloi programin sekret të armëve bërthamore para 4 vjetësh.

Presidenti tha sot gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë se përfundimet e raportit se Irani ndaloi programin e armëve është sinjal paralajmërues se Teherani mund ta rifillojë përsëri këtë program.

Zoti Bush tha se informacioni i ri u jep mundësinë Shteteve të Bashkuara që ta bindë komunitetin ndërkombëtar që t’i bëjë presion Iranit të pezullojë programin për pasurimin e uraniumit, proces që në disa forma mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.

Presidenti Bush paralajmëroi se një Iran i armatosur me armë bërthamore do të paraqiste rrezik për botën. Ai tha se Irani do të krijonte rreziqe nëpër botë nëse do të arrinte të transferonte një program të fshehtë bërthamor. Presidenti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunojë për ta izoluar Iranin. Irani ka thënë gjithnjë se nuk ka pasur kurrë një program armësh bërthamore.//lk

XS
SM
MD
LG