Lidhje

Bantz Craddock: NATO-ja gati të shmangë dhunën në Kosovë


Komandanti i forcave të NATO-s Gjenerali Bantz Craddock, tha se njësitë ushtarake amerikane dhe franceze janë dërguar në një sektor kyç të Kosovës për të ndihmuar në parandalimin e dhunës. Ai e quajti Kosovën rajoni “më i paqendrueshëm” ku aleanca ka trupa. Megjithatë, tha gjenerali Craddock, udhëheqësit vendas po kontribuojnë në përpjekjet për shmangien e dhunës, ndërkohë që të hënën përfundon afati i bisedimeve për të ardhmen e Kosovës.

Gjenerali Craddock u tha gazetarëve në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington se njësitë ushtarake amerikane dhe franceze janë dislokuar në Kampin Nothing Hill të Kosovës veriore, vetëm 17 kilometra nga kufiri me Serbinë. Gjenerali tha se këto njësi duhet të jenë një “faktor shumë stabilizues” por theksoi se është gati të dërgojë edhe trupa shtesë në Kosovë nëse është e nevojshme. "Do të ketë njerëz që do të përpiqen të krijojnë probleme dhe kjo do të manifestohet në formën e trazirave ose ndoshta të dhunës në Kosovë. Do të ketë pastaj njerëz të cilët do t’i kundërpërgjigjen kësaj, megjithë këshillat e kokave më të ftohta që të mos kundërpërgjigjen,” tha gjenerali.

Gjenerali Craddock tha se udhëheqësit në Kosovë dëshirojnë shmangien e dhunës. "Nga bisedat me udhëheqësit në Kosovë kam arritur në përfundimin se ata janë të sinqertë. Ata sinqerisht dëshirojnë shmangien e dhunës dhe do të punojnë seriozisht për të mos e lejuar atë."

Komandanti i NATO-s shprehu gjithashtu shqetësimin se nëse gjendja politike në Kosovë ndryshon, mandati i OKB-së për forcën e udhëhequr nga NATO-ja atje mund të mos jetë më i vlefshëm. Ka shqetësime se nëse qeveria e Kosovës shpall pavarësinë, kjo jo vetëm që mund të ndezë shkëndijën e dhunës por edhe ta verë në një farë pikëpyetjeje statusin e forcës së atjeshme të njohur si K-FOR. "Mund të përfytyrohen rrethana të tilla në të cilat një ndryshim i peisazhit politik mund të ngrejë pyetje që do të duhet të shtrohen urgjentisht në nivelin politik, për të marrë udhëzimet e nevojshme që komandantët të mund të kundërpërgjigjen. Ne në shtabin e komandës aleate, në shtabin tim dhe në KFOR po i kërkojmë Këshillit të Atlantikut Verior të marrë vendime dhe të na japë përsëri autoritetin, nëse mund të shprehemi kështu, në këtë situatë shumë komplekse.”

Të njëjtën thirrje bëri javën e kaluar edhe komandanti i K-FOR-it.

Gjenerali Craddock tha se K-FOR-i ka plane mjaft të hollësishme për pothuajse çdo drejtim që mund të marrin ngjarjet dhe i ka praktikuar kundërpërgjigjet e tij për skenarët e ndryshëm. Ai tha se është i shqetësuar rreth grupeve paraushtarake në Serbi që thuhet se po përgatiten për dhunë. Megjithatë, tha Gjenerali Craddock, ekziston një bashkëpunim i mirë mes forcës së udhëhequr nga NATO-ja dhe ushtrisë serbe. //ii

XS
SM
MD
LG