Lidhje

Ekspertët: Pakësimi i kripës mund të shpëtojë miliona jetë njerëzish

  • Jessica Berman

Ekspertët thonë se numri i vdekjeve nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës mund të pakësohet me rreth 14 milionë gjatë dekadës së ardhëshme duke ulur sasinë e kripës që përdorin njerëzit si dhe duke vënë kontrolle më të mëdha mbi duhanin.

Në vitin 2005, Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi objektivin për uljen e numrit të vdekjeve nga sëmundjet kronike me 2 përqind në vit për 10 vitet e ardhëshme. Sëmundjet kronike janë jo-ngjitëse dhe përfshijnë sëmundjet e zemrës, kancerin dhe diabetin.

Për realizimin e këtij objektivi, një ekip ndërkombëtar filloi punën për të studiuar se çfarë roli luan ulja e përdorimit të kripës dhe forcimi i kontrollit ndaj duhanit.

Studiuesit, nën drejtimin e Perviz Asaria të organizatës bamirëse britanike King's Fund, në Londër, analizuan ndikimin e një uljeje prej 15 përqind të konsumit të kripës në 23 vende, të cilat mbajnë 80 përqind të barrës së sëmundjeve kronike në botë. Këto vende përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Indinë, Vietnamin, Etiopinë, Birmaninë dhe Nigerinë.

Zoti Asaria thotë se ekspertët shqyrtuan edhe rezultatet e studimeve me njerëz nga shoqëri ku ka nivele të ndryshme të konsumit të kripës. "Studimet, të cilat kanë shqyrtuar edhe shoqëri të tilla, tregojnë se në ato vende ku konsumi i kripës është i lartë, tensioni i gjakut rritet në mënyrë të konsiderueshme me moshën. Kurse në shoqëritë fisnore, ku kripa nuk gjendet lehtë ose nuk përdoret shumë në ushqim, tensioni i gjakut tek njerëzit qendron në të njëjtin nivel si atëhere kur ata ishin 20 vjeç."

Tensioni i lartë i gjakut është një faktor i njohur rreziku për sëmundjet e zemrës.

Studiuesit thonë se deri në vitin 2015 mund të evitohen 8.5 milion vdekje nëse njerëzit konsumojnë 3 deri në 4.5 gram kripë në ditë, rreth 30 përqind më pak se sa mesatarja.

Sipas ekspertëve, kjo mund të arrihet me anë të ndryshimeve të vogla në dietë, siç është përdorimi më i pakët i kripës në gatim.

Studimi analizon gjithashtu efektin e masave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kontrollin e duhanit.

Zoti Asaria vlerëson se çdo vit mund të shpëtohen 5.5 milion jetë njerëzish nëse rriten taksat mbi duhanin, vazhdohen fushatat kundër duhanpirjes dhe zbatohen me rreptësi ndalimet e duhanit në vendin e punës apo në vendet publike. "Edhe kur këto masa zbatohen në nivele të ulta, kjo mund ta pakësojë konsumin e duhanit me 20 përqind, gjë që përsëri ka efekt mbi shëndetin e popullatës."

Autorët e studimit thonë se me disa ndryshime të thjeshta në mënyrën e jetesës, do të kushtonte vetëm 36 cent për individ për të shmangur miliona vdekje në vit të shkaktuara nga sëmundjet kronike.

Rezultatet e studimit janë botuar në revistën mjeksore britanike “Lancet”. //ii

XS
SM
MD
LG