Lidhje

E ardhmja e naftës së Gjirit Persik


Një grup ekspertësh të naftës, mes tyre edhe një ambasador i një vendi prodhues, paralajmëruan se rritja e ekstremizmit në Lindjen e Mesme përbën rrezik për tregun botëror të naftës. Forumi, i organizuar nga një institut studimor me prirje konservatore në Washington, shprehu shqetësim për furnizimin me naftë nga Gjiri Persik jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për vende të tjera të botës.

Me çmimin e tanishëm të naftës që arrin në rreth 100 dollarë për fuqi, vendet eksportuese pritet që këtë vit të kapin fitime prej 700 miliardë dollarësh. Por ambasadori i Bahreinit në Shtetet e Bashkuara Naser Belushi tha se lufta në Irak dhe mosmarrëveshjet me Iranin rreth programit bërthamor kërcënojnë begatinë e rajonit. ”Edhe vendet e pasura me naftë kanë nevojë për stabilitet politik. Zhvillimin nuk mund ta sjellin vetëm paratë. Vendet e pasura me naftë kanë nevojë edhe për teknologji dhe ekspertizë. Këto dy elemente nuk mund të arrihen pa një stabilitet politik.” Edhe pse ambasadori Belushi kritikoi programin bërthamor të Iranit dhe përkrahjen që ky vend u jep grupeve ekstremiste, ai tha se një konflikt tjetër në këtë rajon do ta çonte çmimin e naftës në nivele astronomike.

Ariel Kohen, analist i politikës së jashtme në Fondacionin Heritage tha se konfliktet e vazhueshme dhe të pakontrolluara mund të ulin furnizimin me naftë në një kohë kur kërkesa për këtë produkt është në rritje. ”Ajo që po ndodh sot nuk është se nuk ka rezerva të mjaftueshme të naftës por mungesa e stabilitetit politik dhe politikat e pamatura krijojnë kushte në të cilat nuk ka investime të mjaftueshme në industrinë e naftës dhe të gazit natyror.”

Një pjesmarrës tjetër në forum, Gal Luft nga Instituti i Analizave të Sigurisë Globale tha se rritja e tensioneve ndërmjet grupeve Suni dhe Shiite po pengojnë ndërtimin e rafinerive dhe të tubacioneve të naftës. ”Është e qartë se kur grupet Suni dhe Shiite janë në konflikt me njëri tjetrin dhe kur ka dhunë dhe tension kjo ndikon negativisht në shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe në investimet në këtë industri.” Forumi zhvillohet ndërkohë që ministrat e disa vendeve prodhuese të naftës nga Lindja e Mesme vazhdojnë diskutimet rreth çështjeve më delikate me të cilat përballen sot tregjet e naftës. //rd//

XS
SM
MD
LG