Lidhje

Rusia: Perëndimi po bllokon arritjen e marrëveshjes Prishtinë-Beograd


Pёrfaqësuesit e Treshes ndërkombëtare po përgatiten t’i dorëzojnë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, raportin përfundimtar mbi negociatat shtesë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Por ndërsa afrohet afati i 10 dhjetorit, Rusia thotë se perëndimi po bllokon arrijten e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës. Nga ana tjetër, NATO-ja në Kosovë e konsideron atë si rajonin më të paqendrueshëm.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se përkrahja e perëndimit për pavarësisë së Kosovës po bllokon bisedimet e mëtejshme mes serbëve dhe shqiptarëve. Duke folur sot në Moskë, zoti Lavrov tha se Serbia, megjithëse ka paraqitur propozime për kompromis, përparimi ka munguar për shkak të qendrimit të perëndimit mbi këtë çështje. “Fatkeqësisht, partnerët tanë perëndimorë po e bllokojnë përparimin duke thënë se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Në këtë pikë, ne po vëmë përpjekjet e Treshes në kundërshtim me deklaratat publike të bëra nga kjo Treshe.”

Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, ritheksoi dje qendrimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me çështjen e Kosovës. “Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje nga bisedimet e treshes me palët, atëherë mënyra e përshtatshme për të ecur përpara është sipas kushteve të planit Ahtisari, duke përfshirë pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës.” Dje, komandanti më i lartë i NATOs gjenerali Bantz Kradok tha në Uashington se forcat amerikane dhe franceze janë dislokuar në pozicione kyçe në Kosovë për të parandaluar dhunën kur të përfundojë afati i negociatave të hënën e ardhshme. “Ne i kemi parashikuar të gjitha skenaret e mundshme, dhe vendimet kanë ndryshuar thuajse çdo javë. Do të ketë njerëz që do të përpiqen të krijojnë probleme dhe kjo do të manifestohet në formën e trazirave ose ndoshta të dhunës në Kosovë. Do të ketë pastaj njerëz të cilët do t’i kundërpërgjigjen kësaj, megjithë këshillat e kokave më të ftohta që të mos kundërpërgjigjen,” tha gjenerali.

Gjenerali Kradok, tha se udhëheqësit vendas po kontribuojnë në shmangien e dhunës. Megjithatë, shtoi ai, shtabi i komandës aleate dhe KFORi i ka kërkuar Këshillit të Atlantikut Verior t’i japë atyre përsëri autoritetin e duhur në këtë situatë komplekse. Kosova, tha ai, është rajoni më i paqendrueshëm nën mbikqyrjen e NATOs.

Bisedimet e ndërmjetësuara për të ardhmen e statusit të Kosovës përfunduan muajin e kaluar pa arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç tha dje se Beogradi do të merrte masa kundër vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës. Masat mund të përfshijnë edhe prerjen e lidhjeve diplomatike. Udhëheqja shqiptare në Kosovë thotë se do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. //rd//

XS
SM
MD
LG