Lidhje

Të premten, takim i NATO-s për Kosovën dhe Afganistanin

  • Liza Brajënt
  • Paris

Ministrat e jashtëm të Natos takohen nesër në Bruksel për bisedime mbi Afganistanin dhe të ardhmen e operacionit paqeruajtës në Kosovë.

Takimi i Natos zhvillohet vetëm 3 ditë para afatit të 10 dhjetorit, kur treshja ndërkombëtare do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm mbi negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

Negociatat dështuan dhe Kosova dëshiron të shpallë pavarësinë. Eksperti i mbrojtjes Thomas Valasek thotë se çështja kryesore për Naton nuk është thjesht në se do t’i mbajë 16 mijë paqeruajtësit në Kosovë pas 10 dhjetorit, por çfarë roli do të luajnë ata.

“Aleatët e Natos duhet të kenë studiuar deri tani të gjithë skenarët e mundshëm, se çfarë mund të ndodhë, duke patur parasysh se Kosova pritet të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Natoja, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara, duhet të jenë plotësisht të përgatitura për gjithë skenarët e mundshëm.”

Zoti Valasek, analist pranë Qendrës për Reforma Evropiane me seli në Londër thotë, se ndër skenarët e mundshëm janë përballimi i trazirave dhe refugjatëve, që mund të shkaktohen nga shpallja e mundshme e pavarësisë. Por, shton analisti, Natoja, nuk po merr udhëzime të qarta nga vendet anëtare për rolin e saj në Kosovë.

Afganistani është një temë tjetër e rëndësishme në takimin e së premtes. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar vendeve të tjera të Natos të shtonë numrin e forcave në këtë vend, por deri tani, sipas analistit Valasek, nuk ka patur një përgjigje pozitive.

“Është një proces tepër i acarues për sekretarin e përgjithshëm. Është një proces tejet i dëmshëm për kohezionin brenda aleancës. Ka një numër vendesh si Holanda, Kanadaja dhe Britania, që me të drejtë, ndjehen se nuk po u jepet mbështetja e duhur.”

Bisedimet e Brukselit shënojnë edhe takimin e parë të ministrave të jashtëm të Natos me homologun e tyre rus Sergei Lavrov, që kur Moska u tërhoq nga traktati për Forcat Konvencionale në Evropë.//lk

XS
SM
MD
LG