Lidhje

Përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se nuk do të pranojnë pavarësinë


Përfaqësues të serbëve të Kosovës thanë sot se nuk do të pranojnë pavarësinë e njëanshme të Kosovës, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se statusi i pavarur i saj do të mund të pasohet edhe me luftë. Ata i bënë këto komente gjatë një debati mbi të ardhmen e Kosovës nëse deklarohet pavarësia e njëanshme nga Parlamenti i Kosovës, që u mbajt në Çagllavicë afër Prishtinës, ku mori pjesë edhe zëvendës-shefi i misionit të kombeve të Bashkuara, Steven Shuk. Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar Serb, Nebojsha Joviç, u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtarë të parandalojnë shpalljen e pavarësisë, ndërsa Beogradit të rikthejë gjithë autoritetin serb në Kosovë.

“Unë i bëj thirrje shefit të UNMIK-ut, i cili ka gjithë autoritetin dhe është i detyruar për shkak të pozitës që ka dhe institucionin që përfaqëson, që të parandalojë një veprim të tillë të paligjshëm dhe kriminal i cili është në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare, tha zoti Joviç duke kërkuar edhe nga Kryeministri serb Koshtunica, Presidenti Tadiç dhe qeveria e Beogradit që të rikthejnë gjithë autoritetin serb në Kosovë.

“Ata duhet ta kthejnë Kosovën nën Serbi sa më parë”, tha zoti Joviç.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, Momçilo Trajkoviç tha se statusi i pavarur i Kosovës do të mund të pasohet me luftë nëse nuk do të ekzistojë një vullnet politik. Ai tha se as protektorati ndërkombëtar dhe as pavarësia e plotë nuk janë zgjidhje për Kosovën, por duhet gjetur një kompromis ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Pavarësia e njëanshme nuk do të sillte asgjë të mirë tha ai.

“Ky nuk do të ishte shteti i pavarur i Kosovës por do të ishte një qeveri e pavarur e shqiptarëve në një territor të banuar me shqiptarë. Në anën tjetër, do të ketë mundësi krijimi të një qeverie të pavarur paralele serbe dhe në këtë mënyrë do t’i institucionalizoheshin proceset paralele, të cilat do të shpinin drejt konflikti”, tha zoti Trajkoviq duke theksuar se “çfarëdo zgjidhje e shpejtë do ta bënte Kosovën faktor të paqëndrueshmërisë institucionale”.

Ndërsa, zëvendës-shefi i UNMIK-ut, Steven Shuk, tha se nuk beson se do të ketë deklarim të njëanshëm të pavarësisë në Kosovës, megjithatë, ai tha se administrata ndërkombëtare ende pret vendimin e treshe së Grupit të Kontaktit.

“Përgjigja ime për çfarëdo që ka të bëjë me deklarimin e njëanshëm të pavarësisë është se fillimisht ne ende jemi në procesin e treshes, pra ende jemi duke pritur një letër nga treshja ndërkombëtare, më pas do të ketë një dialog të drejtpërdrejtë në zyrën qendrore të UNMIK-ut në Nju York për të gjitha mundësitë, edhe ato që do të mund të sillnin deri tek pavarësie e njëanshme, dhe më pas ne do të analizojmë rezolutën 1244 me të cilën aktualisht qeveriset Kosova”, tha zëvendësshefi i UNMIK-ut.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kanë paralajmëruar se shumë shpejt pas 10 dhjetorit do të shpallin pavarësinë e Kosovës, por vetëm në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtarë, në radhë të parë me Shtetet e bashkuara dhe Bashkimin Evropian. (ze)

XS
SM
MD
LG