Lidhje

Përleshje mes UNMIK-ut dhe një grupi banorësh serbë të Kosovës


Një grup pjesëtarësh të komunitetit serb janë përleshur me pjesëtarët e sigurimit të shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker dhe të komandantit të forcave paqeruajtëse, Xavier Bout de Marnhac në një fshat të Kosovës perëndimore.

Përleshja ka ndodhur gjatë një vizite të dy zyrtarëve më të lartë të pranisë ndërkombëtare në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës, një fshat ky i banuar me pjesëtarë të komunitetit serb.

Në përfundim të kësaj vizite që ishte në funksion të inkurajimit të serbëve për t'u përfshirë në jetën politike, një grup serbësh kanë protestuar duke hedhur parulla kundër mysafirëve. Kjo ka çuar në përleshje fizike por nuk raportohet për të plagosur.

Autoritetet e policisë thanë se në Gorazhdec ka ndodhur një akt i prishjes së rendit dhe qetësisë publike, por nuk dhanë më shumë hollësi rreth incidentit të sotëm.

Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker e ka cilësuar incidentin e sotëm të papranueshëm dhe ka shfaqur dyshimin se ai ishte i nxitur nga Beogradi. Zoti Ruecker ka paralajmëruar se këtë incident do ta raportojë edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG