Lidhje

Rajs: Shtyrja e vendimeve për Kosovën nuk do ta ndihmonte stabilitetin


Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice tha se shtyrja e vendimeve për Kosovën nuk do ta ndihmonte stabilitetin në Ballkan. Ajo i bëri komentet pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, të cilët shprehën vendosmërinë për të ruajtur një prani të fortë në Kosovë.

Skretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice tha sot në një konferencë shtypi në Bruksel se “nëse nuk merret parasysh realiteti i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, kjo nuk do të çonte drejt stabilitetit në Ballkan” dhe se “nuk do ta ndihmonte stabilitetin shtyrja e vendimeve të cilat sado të vështira që mund të jenë, do të duhen të merren”.

Zonja Rice i bëri komentet ndërkohë që NATO-ja po përgatitet për t’i bërë ballë çdo shpërthimi të mundshëm dhune në Kosovë, tani që bisedimet me ndërmjetësimin ndërkombëtar për të ardhmen e saj duket se janë shterruar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha se Aleanca është e vendosur t’i mbajë trupat e saj në Kosovë edhe pas 10 dhjetorit, afati zyrtar i përfundimit të bisedimeve rreth statusit të Kosovës. Duke folur në takimin e ministrave të jashtëme të NATO-s në Bruksel, ai paralajmëroi se Aleanca do të veprojë me vendosmëri ndaj të gjithë atyre që do të përpiqen të përdorin dhunën.

Zonja Rice tha gjithashtu se ishte e inkurajuar nga angazhimi i aleatëve të Natos për të qënë gati për çdo situatë në Kosovë. Ajo tha se kishte gjetur një mirëkuptim se mes aleatëve është e nevojshme të ketë unitet ndërkohë që siç u shpreh ajo, “po hyjmë në një periudhë që padyshim do të jetë e vështirë”.

Takimi i ministrave të jashtëm u dërgoi gjithashtu një mesazh të tërthortë shqiptarëve që të mos bëjnë një deklaratë të njëanëshme për shpalljen e pavarësisë, tani që ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë arritur ndonjë rezultat në bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje të ndërmjetësuar mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në bisedimet e sotme mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov. I pyetur nga gazetarët se si do të reagonte Rusia në rast se Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanëshme zoti Lavrov tha: “Reagimi ynë do të jetë i bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe ne shpresojmë shumë se edhe pjestarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar do të mbajnë të njëjtin qendrim. Ato vende që mbështesin një veprim të njëanshëm të Kosovës drejt pavarësisë, shkelin ligjet ndërkombëtare të vendosura nga Akti i Helsinkit. Ato duhet ta shqyrtojnë edhe një herë seriozisht faktin se janë duke ecur në një tatëpjetë ku mund të rrëshqasin, duke krijuar një precedent për rajone të tjera separatiste dhe kjo nuk do të ndihmonte në qendrueshmërinë e kësaj pjese të Europës.”

Në fillim të kësaj jave, zoti Lavrov akuzoi vendet perëndimore se duke mbështetur pavarësinë po i pengojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje me negociata. Zoti Lavrov bëri thirrje për bisedime të mëtejshme ndërkombëtare.

Mosmarrëveshjet rreth Kosovës janë pjesë e një sërë mospajtimesh të tjera mes NATO-s dhe Rusisë, të cilat kanë bërë që marrëdhëniet e tyre të keqësohen ndjeshëm gjatë këtij viti.

I pyetur nëse është i shqetësuar për periudhën pas 10 dhjetorit, shefi i BE-së për politikën e jashtëme, Havier Solana tha: “Nuk mendoj se do të merret ndonjë vendim në mënyrë të përgjegjëshme përpara se të jetë zhvilluar debati në Nju Jork, në Bashkimin Europian e kështu me radhë”.

Një numër vendesh europiane si Spanja, Sllovakia dhe Greqia, kanë shprehur shqetësime të thella se pavarësia për Kosovën mund të krijonte precedentë për lëvizjet separatiste në rajone të tjera.

Por një pjesë e mirë e vendeve të Bashkimit Europian e pranojnë se pavarësia është një hap i pashmangshëm tani që bisedimet ndërkombëtare nuk kanë arritur ndonjë kompromis.

Sekretari i Jashtëm britanik David Miliband, u shpreh: "Vendet europiane dhe Bashkimi Europian duhet të luajnë një rol të vërtetë udhëheqës në çështjen e Kosovës sepse ne e dimë nga vitet 90 koston e lartë kur Europa vetëm kërcënonte por nuk vepronte." //ii

XS
SM
MD
LG