Lidhje

Reagime pas raportit të Treshes për Kosovën


Raporti i Treshes Ndërkombëtare për Kosovën që iu dorëzua dje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, konfirmoi dështimin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit.

Rusia bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve por sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs e kundërshtoi këtë. Ajo tha se dështimi për të ecur përpara me statusin do të thotë të mos përfillësh realitetin.

Dështimi i bisedimeve shënon një një fazë të vështirë përpara për të ardhmen e Kosovës si në Kombet e Bashkuara edhe në Bashkimin Evropian. Shqiptarët e Kosovës shpresojnë tani se do të kenë mbështetjen ndërkombëtare për të shpallur pavarësinë nga Serbia.

Agron Bajrami, redaktor i gazetës Koha Ditore thotë se shpreson se duke filluar nga java e ardhshme pret të fillojë një proces i ri që duhet të konkludojë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Mendoj se 10 dhjetori do të konfirmojë atë që presim të gjithë, se procesi i negociatave shtesë të drejtuara nga treshja dështuan dhe kështu pas kësaj date presim të fillojë një proces i ri që duhet të përfundojë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës", thotë zoti Bajrami.

Në rrugët e Prishtinës banorët japin mendime të ndryshme për çështjen e pavarësisë. Ndërsa në Beograd njerëzit janë të mendimit se duhet mënjanuar dhuna e metejshme. “Nuk mendoj se gjërat do të përmirësohen. Shqiptarët do të jenë të pavarur dhe shpresoj që të mos ketë shkallëzim të dhunës në Kosovë dhe Serbi”, thotë një banor i Beogradit. Nuk ka për të patur reagime nga Serbia – nuk mendoj se serbët do të shkaktojnë ndonjë problem. Do të rrinë urtë, si ngaherë – gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më parë dhe askush nuk tha gjë, thotë një tjetër.

Në një intervistë për televizionin Associated Press, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës Hashim Thaçi tha se është gati të punojë për të bindur serbët e Kosovës se do të kenë një të ardhme më të mirë në Kosovë. "Serbët e Kosovës do të jenë pjesë e qeverisë së re. Jam shumë krenar të punoj me ta për një të ardhme më të mirë për të gjithë në Kosovë. Jam gati dhe do të punoj shumë për të bindur ata se do të kenë një të ardhme më të mirë në Kosovë. Serbët e Kosovës janë qytetarët tanë. Kosova është vendi ynë dhe i tyre. U bëj thirrje përsëri refugjatëve që jetojnë në Mal të Zi apo në Serbi të kthehen në pronat dhe shtëpitë e tyre. Kosova është një vend i mundësive dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të", tha zoti Thaçi.

XS
SM
MD
LG