Lidhje

Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve në 23 komuna të Kosovës


Pjesëmarrja e ultë e votuesve në Kosovë po karakterizon raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 23 komuna në gjithë Kosovën, ku është zhvilluar balotazhi për udhëheqësin e kuvendit komunal, gjatë gjithë ditës është vërejtur interesimi i vogël i qytetarëve. Madje, sipas shifrave jo zyrtare pjesëmarrja e votuesve në balotazhin për kryetar komune llogaritet të jetë sa gjysma e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Pjesëmarrjen tejet të ultë të zgjedhësve e ka konfirmuar edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” që po vëzhgon zgjedhjet. Gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve por edhe udhëheqësit politik të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke e quajtur balotazhin sfidë më vete, tha se është e rëndësishme që procesi zgjedhor të përfundojë sa më shpejtë, sepse siç tha ai, ka edhe shumë punë të tjera për të bërë. “Ky brez që do te zgjidhet do te ketë barrë të veçantë sidomos në ciklin e ri të legjislacionit dhe shumë aspekteve të tjera që kanë te bëjnë më jetën demokratike të qytetarëve dhe përmbushjen e interesave te tyre jetësore të përditshme, dhe zhvillimit të Kosovës, andaj është shumë e nevojshme edhe stabiliteti i vendit në vazhdimësi që gjithë qytetarët e Kosovës të vazhdojnë më këtë kontribut që kanë pasur dhe që do të kenë edhe në të ardhmen”, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet e 17 nëntorit tha se votimet po dëshmojnë se Kosova është e përgatitur për shtet të pavarur dhe sovran.“Edhe njëherë i falënderoj qytetarët e Kosovës për besimin që më kanë dhënë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Ai besim është përgjegjësi e re shtetërore për mua dhe formacionin tim politikë dhe për partnerët shtet ndërtues të Kosovës, por edhe një mesazh i qartë për komunitetin ndërkombëtarë se Kosova është unike, është e përgatitur për shtet të pavarur, sovran", tha kryetari i PDK-së. Në 23 komunat në të cilat po zhvillohet balotazhi për kryetarë komunal, llogaritet të jenë hapur mbi 500 qendra votimi të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve deri në ora 19:00.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raundi i dytë i zgjedhjeve po zhvillohet pa incidente, ndërkohë që mbi 7000 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës janë të angazhuar në operacionin “Balotazhi 2007’’. Votime nuk po mbahen në disa komuna me shumicë shqiptare ku zgjedhjet për kryetarë komunash kanë përfunduar qysh në raundin e parë. Po ashtu, votimet nuk po mbahen edhe në disa komuna me shumicë serbe, ku edhe zgjedhjet e 17 nëntorit kanë dështuar për shkak të pjesëmarrjes së vogël të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker ditë më parë ka njoftuar se në bazë të një vendimi ekzekutiv, në këto komuna do të emërojë pjesëtarët e Kuvendeve aktuale në postet e kryetarëve të komunave. Përfundimi i raundit të dytë të zgjedhjeve vlerësohet i rëndësishëm edhe për procesin e krijimit të institucioneve qendrore. Pas shpalljes së këtyre rezultateve pritet që të fillojnë edhe zyrtarisht bisedimet për krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Tash për tash të gjitha partitë politike janë shprehur në favor të krijimit të një qeverie të qëndrueshme në radhë të parë për shkak të periudhës nëpër të cilën po kalon procesi për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG