Lidhje

SHBA: Këshilltarja e Presidentit kishte dijeni për videot e shkatërruara


Agjencitë amerikane të lajmeve njoftojnë se një ish zyrtare e lartë e Shtëpisë së Bardhë e kishte këshilluar CIA-n që të mos asgjësonte videokasetat e marrjes në pyetje të të dyshuarve terroristë.

Mediat njoftojnë se ish këshilltarja ligjore e Shtëpisë së Bardhë Harriet Majers në vitin 2005 e kishte inkurajuar CIA-n që të mos asgjësonte videokasetat. Gazeta New York Times thotë se zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë bashkë me anëtarë të lartë të Kongresit e kishin këshilluar gjithashtu CIA-n që të ruante videokasetat.

Asgjësimi i videokasetave në atë kohë u urdhërua nga Hoze Rodrigez i cili ishte përgjegjës për sektorin e operacioneve sekrete të CIA-s. Gazeta thotë se ai e kishte bërë këtë pa e njoftuar zyrën juridike të CIA-s. Ky incident ka zemëruar ligjvënësit demokratë të cilët kanë premtuar se do të organizojnë dëshmi në Kongres rreth kësaj çështjeje. Zyrtari i dytë më i lartë në senat, Richard Durbin ka kërkuar nga prokurori i përgjithshëm Michael Mukezi të hetojë nëse CIA ka shkelur ligjin duke asgjësuar videokasetat.

CIA thotë se i kishte asgjësuar videokasetat në vitin 2005. Drejtori i CIA-s Michael Hayden tha në një deklaratë se agjensia e kishte bërë këtë për të ruajtur identitetin e hetuesve që merrnin në pyetje të dyshuarit. Ai tha gjithashtu se CIA i kishte njoftuar ligjvënësit për videokasetat dhe asgjësimin e tyre. Por në Kongresin amerikan po bëhen tani thirrje që kërkojnë një hetim të çështjes. Një ndër ta është anëtari i komisionit të senatit për çështjet e zbulimit Carl Levin. "Ne kemi një qeverisje me ligje dhe CIA si çdo agjenci dhe çdo qytetar në Shtetet e Bashkuara qeveriset nga ligjet. Pra nëse ndeshemi me asgjesime të materialeve në një mënyrë që shkel ligjet të cilat ndalojnë asgjësimin e materialeve atëhere kjo çështje duhet të shqyrtohet nga Departamenti i Drejtësisë.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dena Perino reagoi në mënyrë konçize në një konferencë për shtyp. Ajo tha se presidenti Bush nuk kishte dijeni rreth asgjësimit të kasetave dhe se vazhdonte të përkrahte drejtorin e CIA-s Hayden në detyrën e tij. ”Presidenti ka besim të plotë te gjenerali Hayden dhe nuk ka ndonjë arsye të verë në dyshim këtë besim. CIA është ende duke hetuar këtë çështje dhe pa përfunduar ky hetim unë nuk do të bëjë komente.” Zonja Perino nuk pranoi të komentojë për disa pyetje të gazetarëve gjatë konferencës.

Njoftimet bëjnë të ditur se CIA ka përdorur metoda të ndryshme si simulimi i mbytjes me ujë si një teknikë e marrjes në pyetje por nuk dihet se çfarë teknika të tjera përmbanin videokasetat e asgjesuara. CIA thotë se metodat ishin në përputhje me ligjet dhe udhëzimet e miratuara nga Departamenti i Drejtësisë. //rd//

XS
SM
MD
LG