Lidhje

Teherani akuzon Uashingtonin se ka perdorur metoda spiunazhi


Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë përdorur metoda spiunazhi për të hartuar një raport mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Agjensia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA citon ministrin e jashtëm iranian Manuçer Motaki të ketë thënë se qeveria e tij kishte dërguar një notë proteste në ambasadën zvicerane në Teheran për tu ankuar rreth Raportit të Zbulimit Kombëtar i cili u publikua këtë javë.

Ambasada zvicerane angazhohet për interesat amerikane në Iran në mungesë të një përfaqësie diplomatike amerikan në këtë vend. Raporti i publikuar thotë se Irani e ndali aktivitetin e vet bërthamor në vitin 2003, Zoti Motaki citohet të ketë thënë se Irani pret një shpjegim rreth spiunazhit kundër vendit të tij, siç e quajti ai.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates i cili po viziton Bahreinin tha se Irani vazhdon të jetë një kërcënim ndaj Lindjes së Mesme dhe Shteteve të Bashkuara. Në një konferencë mbi sigurinë ai tha se vendet e Gjirit Persik duhet të punojnë së bashku që të kërkojnë nga Irani shpjegime rreth paqartësive të programit të vet bërthamor dhe që Teherani të zotohet hapur se nuk do të përpiqet të prodhojë armë bërthamore. //rd//

XS
SM
MD
LG