Lidhje

Ekipi i negociuesve të Prishtinës kërkon qartësi për statusin e Kosovës


Ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës është zotuar sot se do të bashkërendoj veprimet e tij me partnerët ndërkombëtarë për zgjidhjen e këtij statusi.

Në një komunikatë për opinion pas dorëzimit të raportit të treshes së grupit të kontaktit tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, ekipi i negociuesve nënvizon se “pas tetë vjet paqartësie, populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet. Propozimi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari, duke përfshirë edhe propozimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakoja e masave për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike”.

Negociuesit e Prishtinës kane shprehur përkushtimin për të marrë mbi vete obligimet e përfshira në atë propozim, duke theksuar se “së bashku me anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, synon të punojë në bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për ta zgjidhur statusin e Kosovës. Më herët para treshes është bërë një zotim pa kushte për të mos përdorur dhunë, kërcënime apo frikësime” dhe ky përkushtim është përsëritur edhe sot në komunikatën e ekipit të unitetit.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Rucker tha se ky zotim është shumë i rëndësishëm duke u mbështetur sic tha në pjekurinë e qytetarëve të Kosovës. “Shpresoj se përmbajtja e raportit do të ndihmojë për ruajtjen e atmosferës së paqes dhe përgjegjësisë”, tha zoti Ruecker sipas të cilit ndonëse qytetarët e Kosovës janë të lodhur dhe të frustruar do të veprojnë me maturi në ditët që po vijnë. Ai tha se është e rëndësishme që partitë politike tash të ulen dhe të krijojnë institucionet e dala nga zgjedhjet e reja. “Ne inkurajojmë një qeveri të gjerë, të qëndrueshme dhe të krijuar me kohë” tha zoti Ruecker duke theksuar se është e rëndësishme që Kosova të ketë institucione funksionale në këtë periudhë të rëndësishme. Ai i bëri këto komente pak pas publikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për 23 komuna të Kosovës.

Komisioni qendror i zgjedhjeve bëri të ditur se 31 për qind e votuesve kanë marrë pjesë në këto zgjedhje në të cilat Partia Demokratike e Kosovës ka fituar shumicën e posteve të kryetarëve të komunave, ndërsa pas saj radhiten Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ditët e ardhshme pritet që partitë politike të fillojnë bisedimet edhe zyrtare për krijimin e institucioneve të reja. //rd//

XS
SM
MD
LG