Lidhje

Shqipëria në ditën botërore kundër korrupsionit


Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit mblodhi sot në një debat të gjerë mbi përhapjen e mitmarrjes në Shqipëri organizatat joqeveritare pikërisht në ditën botërore kundër korrupsionit.

Diskutimi i shoqatave joqeveritare u mbajt vetëm dy ditë pas sondazhit të organizatës Transparency International “Barometër 2007”, sipas të cilit Shqipëria është në vendin e tretë në botë për përhapjen e rryshfeteve dhe se sektorët më të korruptuar janë shëndetësia dhe drejtësia.

Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Aldo Shala, thotë që ndërsa në mjekësi janë qytetarët që ofrojnë rryshfete, nga ana tjetër, në sistemin e drejtësisë janë gjyqtarët ata që kërkojnë me këmbëngulje rryshfete të majme, duke i shndërruar gjykatat në supermarkete ku e drejta nuk fitohet sipas ligjit, por shiten edhe blihen. “Gjyqësori shqiptar nuk jep më drejtësi, por është kthyer në një supermarket ku shitet e blihet drejtësia. Shqiptarët duhet të mësohen që e drejta nuk blihet, por ajo fitohet. Kjo është një nga detyrat kryesore të shoqërisë civile, që i paraprin mendimit përparimtar qytetar shqiptar” - tha zoti Shala.

Zoti Shala thotë se reforma në drejtësi thotë se reforma në drejtësi nuk duhet të përqëndrohet tek strukturat, por tek njerëzit që e bëjnë drejtësinë; gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë. “Reforma në drejtësi nuk duhet të fokusohet më tek struktura e sistemit të drejtësisë, sepse ky system vihet në veprim nga njerëzit. Kjo reformë duhet të kryhet në trupën gjyqësore, në prokurori dhe tek njerëzit që zbatojnë ligjin. Politika dhe shoqëria shqiptare duhet të fokusohet në kriteret që duhet të zbatohen në rekrutimin dhe promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe të avokatëve, të cilët janë një pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësië” - thotë zoti Shala.

Ndërsa sipas analistit të shtypit Sami neza, studimi “Barometër 2007” nxorri në dritë korrupsionin mjaft të përhapur në sektorin e shërbimeve, ndërkohë që qeverisë i është bërë më shumë presion në korrupsionin e tenderave dhe në mbledhje taksash. “Qeveria është munduar të shmangë sa më shumë ka qenë e mundur korrupsionin e madh, duke mos arritur të futet dhe të eleminojë korrupsionin e vogël. Nëse një drejtor drejtorie në transporte bën korrupsion në një tender, dëmi që ai i shkakton shoqërisë ai, është i barabartë me dëmi që mund të shkaktojnë një mijë mjekë dhe njëqind gjyqtarë së bashku” - thotë zoti Neza.

Zoti Neza thotë se sondazhi u sugjeron autoriteteve shqiptare që të përfshijnë në luftën kundër korrupsionit edhe sektorët e shërbimeve publike, si mjekësia etj. “Ne duhet t’i sugjerojmë qeverisë që atje ku është e mundur të ndryshojë sadopak target zonën e luftës kundër korrupsionit. Të përqëndrihet ose të përdorë të njëjtat mjete efikase që po përdor për të luftuar korrupsionin në administratrën e lartë edhe në pjesën e shërbimeve” - thotë zoti Neza.

Një studim i organizatës Transparency International nxorri se në Shqipëri sektorët më të korruptuar janë shëndetësia dhe drejtësia. Sipas këtij sondazhi, 71 për qind e qyetarëve pohuan se kanë dhënë të paktën një herë rryshfet gjatë këtij viti, duke e ngjitur të tretën në renditjen botërore të mitmarrjes. Transparfency International zbuloi gjithashtu edhe pakësimin e mbështetjes së opinionit publik shqiptar ndaj qeverisë në luftën kundër korrupsionit. //rd//

XS
SM
MD
LG