Lidhje

SHBA: Debat mes kandidatëve republikanë në gjuhën spanjolle


Kandidatët republikanë për president këtu në Shtetet e Bashkuara diskutuan dje për çështje të emigracionit në një debat në gjuhën spanjolle, organizuar nga kanali televiziv amerikan spanjisht Univision.

Kandidatët iu përgjigjën pyetjeve me interes për votuesit latinë gjatë debatit të mbajtur në Miami të Floridës. Përgjigjet e tyre u përkthyen në spanjisht për transmetim.

Senatori nga Arizona John McCain bëri thirrje për masa më të forta përgjatë kufirit me Meksikën. Zoti McCain shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta humbin dhimbshurinë dhe dashurinë njerëzore për emigrantët.

Ish kryetari i Bashkisë Rudy Giuliani tha se do t’u jepte karta identiteti të pafallsifikueshme për njerëz që ndodhen në Amerikë ligjërisht.

Ish-Guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney e mbrojti vendimin për të pushuar nga puna një firmë që kishte bërë punime në shtëpinë e tij. Zoti Romney Tha se kompania kishte vazhduar të punësonte emigrantë të paligjshëm pavarësisht se ai i kishte paralajmëruar që ta ndërprisnin një praktikë të tillë.//kk//

XS
SM
MD
LG