Lidhje

Irak: 5 të vrarë dhe 20 të plagosur


Zyrtarët irakianë thonë se një sulm me mortajë goditi një burg të administruar nga qeveria në Bagdad, duke shkaktuar vrasjen e 5 të burgosurve dhe plagosjen e 20 personave të tjerë.

Një zyrtar irakian i sigurimit tha fillimisht se 7 të burgosur ishin vrarë nga sulmi i sotëm. Më vonë, ushtria amerikane bëri një deklaratë në të cilën thoshte se u vranë 5 të burgosur.

Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane tha se zjarri që ra sot në një rafineri nafte në Bagdad, ishte rezultat i një aksidenti dhe jo i një sulmi me mortajë, siç kishin njoftuar më parë zyrtarët irakianë.

Ushtria tha se ushtarët amerikanë, që mbrritën në rafinerinë Doura në jug të Bagdatit arritën në përfundimin se zjarri u shkaktua nga shpërthimi një tubacion.

Sipas agjencisë së lajmeve Rojter, një zëdhënës i ministrisë irakiane të naftës tha se zjarri është vënë nën kontroll.

Në lajme të tjera, ekspertë amerikanë dhe iranianë do të zhvillojnë më 18 dhjetor një tjetër raund bisedimesh lidhur me gjendjen e sigurisë në Irak. (ze)

XS
SM
MD
LG