Lidhje

SHBA: Kongresi do të hetojë mbi videokasetat e CIA-s


Kongresi amerikan nuk po humbet kohë për të filluar hetimin e vet për një vendim të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s për shkatërrimin e videokasetave ku është inçizuar marrja në pyetje e të dyshuarve për terrorizëm. Shefi i CIA-s Michael Hayden do të dëshmojë para ligjvënësve këtë javë.

Kreu i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Jay Rockfeller i Virxhinias Perëndimore, thotë se zoti Hayden do të paraqitet para komisionit që ai drejton. “Drejtori i CIA-s Michael Hayden do të vijë para komisionit tonë të martën dhe do të flasë për marrjen në pyetje dhe taktikat e ndjekura,” thotë Senatori.

Gjatë një interviste për televizionin CBS, zoti Rockfeller e bëri të qartë se anëtarët e komisionit kanë shumë pyetje për videokasetat e shkatërruara. “A kishte në ato kaseta pamje që ata nuk do donin t’i kishin parë dhe që Prokurori i Përgjithshëm nuk do të lejonte të ndodhnin nëse do të ishte në dijeni?”

Zoti Rockefeller la të kuptohej se seanca do të mbahej me dyer të mbyllura, për t’u dhënë mundësinë ligjvënësve që të diskutojnë për çështje që janë ende sekret dhe që kanë të bëjnë me procedurat konkrete të marrjes në pyetje.

Drejtori i CIA-s bëri publik faktin e shkatërrimit të videokasetave të enjten, pasi u informuar se shtypi kishte zbuluar ekzistencën e tyre. Kasetat ishin inçizuar në vitin 2002 dhe tregonin marrjen në pyetjke të të dyshuarve kryesorë për terrorizëm. Ato u shkatërruan në vitin 2005 dhe kritikët brenda Kongresit thonë se kjo mund të përbëjë shkatërrim provash dhe pengim të drejtësisë.

Demokrati Joseph Biden i Delauerës, kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ish-kryetar i Komisionit të Ligjeve, thotë se hetimi paraprak i përbashkët nga Departamenti i Drejtësisë dhe CIA, për të cilin u njoftua të shtunën nuk është i mjaftueshëm. Zoti Biden, që është një nga kandidatët për president i Partisë Demokrate, u intervistua nga televizioni ABC. “Mendoj se nuk i takon Haydenit të gjykojë nëse ishte i ligjshëm fakti që ai lejoi shkatërrimin e kasetave. Duket se këtu duhet ngritur akuzë për pengimin e drejtësisë, dëmtimi dhe shkatërrimi i provave dhe besoj se ky është një rast ku në të vërtetë duhet caktuar një prokuror i posaçëm,” thotë Senatori Bajden.

Zoti Hayden u tha të enjten punonjësve të CIA-s se kasetat ishin shkatërruar nga frika se nëse bëheshin publike, identiteti i hetuesve do të bëhej publik dhe jeta e tyre do të vihej në rrezik. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Presidenti Bush e lejoi komunitetin e zbulimit që të përdorte teknika më efektive të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.

Administrata e Presidentit Bush nuk ka pranuar të thotë se cilat metoda janë të lejuara. Por kritikët thonë se disa prej tyre përbëjnë torturë, përfshirë një procedurë imiton mbytjen në ujë.

Senatori Republikan John McCain i Arizonës i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të distancohet publikisht nga përdorimin i teknikave të ashpra të marrjes në pyetje. Ai foli për televizionin Fox. “Po t’i hedhësh një vështrim më të gjerë, duket se ky fakt dëmton përsëri besueshmërinë dhe qëndrimin moral të Amerikës në botë. Në gjithë botën do të ketë reagime mosbesuese dhe cinike për mënyrën sesi ne trajtojmë të burgosurit dhe a e përdorim apo jo torturën”.

Senatori McCain, një i burgosur i luftës së Vietnamit, ka qenë një nga anëtarët e Kongresit që e ka ngritur më shumë zërin për trajtimin e të ndaluarve në luftën kundër terrorizmit. Ai është një nga kandidatët republikanë për president. //ad//

XS
SM
MD
LG