Lidhje

Libër i ri mbi transformimin e Amerikës në shek. XIX


Në një libër të botuar kohët e fundit dhe të titulluar “Çfarë Krijoi Zoti”, historiani Daniel Walker Howe përshkruan në formë kronike periudhën e transformimeve nëpër të cilën kaloi Amerika në shekullin e 19.

Libri hapet me vitin 1815 dhe autori Howe thotë se në atë kohë Shtetet e Bashkuara ishin një vend i ngjashëm me ato që sot i quajmë vende të botës së tretë. "Kjo do të thotë se shumica e njerëzve jetonin në ferma të izoluara dhe jeta e tyre varej nga kushtet e motit si dhe nga kohëzgjatja e ditës. Shumë njerëz i kultivonin vetë ushqimet që hanin dhe gratë i bënin vetë veshjet për familjet e tyre," thotë autori.

Gjithashtu distancat ishin të mëdha. Sipas standardeve europiane, në vitin 1815 Amerika ishte një vend i madh dhe më vonë do ta zgjeronte akoma më shumë sipërfaqen e saj. Në vitin 1803, Presidenti Thomas Jefferson realizoi me negociata blerjen e territorit të Luizianës nga Franca, duke e dyfishuar sipërfaqen e vendit. Në vitin 1825, u hap Kanali Erie i cili do të shërbente si një rrugë e rëndësishme lidhëse përmes shtetit të Nju Jorkut. Howe thotë se ky kanal forcoi lidhjet ekonomike mes pjesës qendrore dhe verilindore të vendit, i dha një shtytje zhvillimit të qytetit të Nju Jorkut dhe ndihmoi në integrimin ekonomik të rajonit.

Kjo periudhë u bë gjithashtu një dëshmitare e revolucionit që ndodhi në aspektin e komunikimit. Për herë të parë në histori, lajmet filluan të fluturonin më shpejt se sa galopi i një kali. Howe thotë se telegrafi, i shpikur nga Samuel Morsi, zhvilloi më tej tregtinë në distancë për mallra të tilla si pambuku, i cili kultivohej në shtetet jugore dhe transportohej pastaj në veri të Amerikës si dhe në Europë. "Kur lajmi për çmimin e pambukut arrinte në Nju Jork, kjo ngjallte një interesim të jashtëzakonshëm për njerëzit e jugut, në qytete të tilla si Savana apo New Orleans dhe me ta marrë ata lajmin, kjo përbënte një ndryshim gjigand përsa i përket efikasitetit të shpërndarjes së mallit."

Telegrafi e nxiti tregtinë edhe sepse në këtë mënyrë mund të mësohej pa vonesë se sa gjendje financiare kishte ky apo ai tregtar duke lejuar pastaj transferimin e parasë dhe duke shkurtuar në fakt distancën mes qyteteve.

Titulli i librit "What Hath God Wrought," - “Çfarë Krijoi Zoti” është teksti i mesazhit i dërguar nga Samuel Morsi kur ai demonstroi shpikjen e tij, telegrafin, në vitin 1844. Kjo frazë vjen nga Bibla dhe sipas autorit ajo pasqyron rëndësinë e fesë në të gjithë atë periudhë, për shembull në hapjen e shkollave dhe të kolegjeve.

Në atë kohë, sektet e shumta të Amerikës konkurronin për të ngritur qendrat e tyre të dijes. Howe thotë se anijet me avull dhe hekurudhat lidhnin qytetet në rritje dhe ofronin shanse të shumta për të rinjtë e talentuar. "Një shembull i mrekullueshëm ishte Abraham Lincoln, i cili nuk kishte asnjë interes dhe asnjë talent për t’u bërë fermer si ati, Thomas. Kur vinte koha për të bërë punët e rënda të stinës, atë e gjeje duke lexuar një libër." Me atë pak arsim që kishte, Linkolni iku nga ferma, studioi vetë libra drejtësie dhe u bë avokat.

Libri përfundon me vitin 1848, kur u nënshkrua traktati i cili dha fund luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, luftë që ngjalli mjaft polemika. Meksika u detyrua t’u japë Shteteve të Bashkuara territorin që sot ndodhet në jugperëndimin e vendit. Howe thotë se botuesi i tij e caktoi këtë datë sepse libri pasardhës në Serinë e Oksfordit fillon pikërisht me vitin 1948. "Pra, natyrisht, mu desh të pranoja. Megjithatë, jam shumë i gëzuar që e mbarova me vitin 1848, jo vetëm për shkak të ratifikimit të Traktatit Guadalupe Hidalgo, por edhe sepse ai ishte viti kur në Seneca Falls të Nju Jokut u mbajt kuvendi për të drejtat e grave i cili përçoi një vizion të madh për të ardhmen e Amerikës."

Kuvendi për të drejtat e grave, thotë autori i librit, i hapi rrugën pjesmarrjes së grave në politikë dhe në profesione, ndërkohë që po rritej lëvizja për t’i dhënë fund skllavërisë. Gjysma e parë e shekullit të 19, thotë Howe, hodhi bazat për ndryshime akoma më të mëdha që do të pasonin. //ad//

XS
SM
MD
LG