Lidhje

Kryevepra e gjetur në plehëra shitet me ankand për 1 milion dollarë

  • Pejxh Kollok

Diçka e hedhur në plehëra nga një person, mund të jetë e vlefshme për një person tjetër, sidomos kur është fjala për vepra arti. Në vazhdim ju njohim me odisenë e vjedhjes së një pikture, e cila nga një kazan plehrash në trotuar, u gjend në një ankand veprash arti.

Një milion e 43 dollarë. Ky është çmimi me të cilin u shit në një ankand kohët e fundit në Nju Jork, kjo pikturë me bojra vaji e një artisti nga Amerika Latine, e titulluar “Three people”, “Tre njerëz”. Pikturën e mbajti në shtëpi për një farë kohe, shkrimtarja njujorkeze Elizabet Gibson.

"Isha rrugës për të blerë kafenë e mëngjesit, si zakonisht, dhe kalova para plehërave, kur shoh atje një pikturë të madhe shumëngjyrëshe",- kujton ajo.

Gibson e gjeti pikturën në një trotuar të Manhatenit në vitin 2003 dhe ndjeu detyrimin ta merrte atë me vete.

"Nuk mund të them se ishte shumë e bukur. Por ishte tepër e fuqishme, me një tërheqje të jashtëzakonshme. Kishte diçka të mistershme në të: por përse kishte përfunduar në plehëra?" ,- thotë Gibson.

Ndërsa Gibson e vari pikturën misterioze në mur në shtëpinë e saj, bota e artit kishte shprehur tashmë hidhërimin për shkak të zhdukjes së kryeveprës së piktorit meksikan Rufino Tamayo. Ajo kishte humbur që në vitin 1987, shpjegon kritiku i artit August Uribe:

"Ajo ishte një nga veprat më të rëndësishme të artistit Rufino Tamajo, e viteve të fundit të krijimtarisë së tij, realizim i vitit 1970, kur piktori kishte arritur kulmin në kërkimin drejt interpretimit abstrakt të figurës njerëzore, si dhe përsa i përket ngjyrave dhe strukturës së pikturave të tij."

Pak pasi e gjeti pikturën, Gibson filloi kërkimet, që zgjatën për 4 vjet, duke marrë në telefon miq të saj nga bota e artit, duke lexuar për artistin meksikan në bibliotekë, dhe një herë udhëtoi 4 orë për të ndjekur një shfaqje televizive mbi objekte të vjedhura, apo të humbura të artit.

"Asnjëherë nuk u nisa nga ideja se ndoshta piktura ishte e vlefshme. Por, ishte sikurse një objekt që rrezatonte nga apartamenti im, dhe që thoshte: Do të më lesh të rri këtu përgjithmonë? Bë diçka për mua."

Gibson thotë se la një orar takimi me August Uriben punonjës i ankandit "Sotheby", duke përdorur emër të rremë. Ky i fundit shkoi në shtëpinë e saj dhe konfirmoi se piktura ishte autentike.

"Është pikërisht kjo veti e strukturës së veçantë dhe ngjyrat, që janë unike për pikturat e Tamajo-s. Do të ishte diçka thuajse e pamundur, që këto të kopjoheshin." - thotë Gibson.

"Sotheby" gjeti pastaj pronarin e vërtetë të pikturës, i cili vendosi ta shesë atë. Megjithëse Gibson është mërzitur nga ndarja me pikturën, ajo thotë se përpjekjet për gjetjen e saj u shndërruan në një udhëtim shpirtëror.

"Ishte si një mister, përse ndodhej ajo pikturë në plehëra?"

Gibson u shpërblye me shumën e 15 mijë dollarëve për gjetjen e pikturës dhe ajo u vu në qendër të vëmendjes së mediave për këtë veprim të saj. Ndërsa shuma e shpërblimit zbehet në krahasim me çmimin e pikturës, ajo thotë se ndjehet e lumtur që mundi ta shpëtojë atë vepër arti nga shkatërrimi.//lk

XS
SM
MD
LG