Lidhje

Bruksel: Qiproja bllokon qendrimin e përbashkët të BE-së për Kosovën


Afati për marrëveshje mbi të ardhmen e Kosovës kaloi pa arritjen e ndonjë kompromisi ndërkohë që udhëheqësit në Prishtinë deklaruan se do ta shpallin pavarësinë brenda pak muajsh.

Zyrtarët në Kosovë thanë dje se qeveria ka në plan të fillojë menjëherë bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian për shkëputjen nga Serbia.

Në Uashington, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se i vjen keq që Kosova dhe Serbia nuk arritën dot një kompromis dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin planin e ndërmjetësit të OKB-së, Marti Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës.

Por në Bruksel, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian dje nuk gjetën një qendrim të përbashkët për të mbështetur pavarësinë krahas planeve për dërgimin në Kosovë të një force policore civile. Qiproja, aleate tradicionale e Serbëve, e bllokoi marrëveshjen duke ngulur këmbë që bisedimet të vazhdojnë.

Greqia, Spanja dhe Sllovakia janë po ashtu të lëkundura për të mbështetur plotësisht pavarësinë. Po dje, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç i tha televizionit shtetëror serb se do t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendosë nëse pavarësia e Kosovës do të jetë e ligjëshme.

BASHKIMI EUROPIAN I SHQETESUAR

Bashkimi Evropian thotë se është i vendosur për të parandaluar shpërthimet e dhunës ndërkohë që në Ballkan janë shtuar tensionet lidhur me statusin e Kosovës.

Ministri i Jashtëm Britanik, David Milliband, tha dje se është me rëndësi jetësore që BE-ja të udhëheqë përgjigjen ndërkombëtare për këtë çështje.

"Kosova është në Evropë dhe për mendimin tim është me rëndësi esenciale angazhimi evropian për të udhëhequr përgjigjen ndërkombëtare tani që e kaluam afatin e 10 dhjetorit. Mendoj se është e qartë për të gjithë se megjithë përpjekjet e mëdha të Treshes gjatë katër muajve të fundit, qendrimet e kundërta të palëve nuk arritën të kapërcehen dhe tani Bashkimi Evropian duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta ndaj të dy palëve, si ndaj kosovarëve ashtu edhe ndaj serbëve, po ashtu të dy palët kanë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre për këtë çështje”.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, paralajmëroi se ndarjet e brendëshme kanë patur pasoja shkatërrimtare në të kaluarën.

"Rreziku është i madh. Ne jemi përballë prirjes për prishjen e stabilitetit në gjithë Ballkanin, prandaj nuk duhet të përsërisim gabimet e viteve 90-të, kur Bashkimi Evropian ishte i ndarë dhe nuk vuri re disa nga detajet kritike, prandaj ne kemi përpara një punë që kërkon vemendje ndaj hollësive”.

Shefi i politikës së jashmte të Bashkimit Evropian, Javier Solana, u shpreh me optimizëm se BE-ja do të jetë e bashkuar dhe do të përmbushë pëgjegjësitë që i takojnë.

"Ne do të shkojmë përpara dhe për mendimin tim qendrimet brenda Bashkimit Evropian po afrohen. Mendoj se ne do të jemi në gjendje të arrijmë në një qendrim të përbashkët dhe do të përmbushim përgjegjësitë tona. Ne kemi një mision për përfaqësinë ndërkombëtare në Kosovë dhe jemi angazhuar gjithashtu për policinë dhe gjyqësorin, si dhe për elementët e ekonomisë. Gjithësesi, mendoj se ne do t’i përmbushim përgjegjësitë tona”.

Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë thënë më parë se nuk do ta shpallin pavarësinë nga Serbia pa miratimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG