Lidhje

USAID mbështet shoqërinë civile shqiptare në forcimin e demokracisë


Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, do të vazhdojë edhe më tej që të mbështesë shoqërinë shqiptare në forcimin e demokracisë. Drejtori i USAID-it për Shqipërinë, Eduard Landau, i bëri këto komente në ceremoninë e trevjetorit të projektit "Demokraci dhe Qeverisje në Shqipëri", me një vlerë 7,2 milionë dollarë usd, i cili përkrahu luftën kundër korrupsionit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në demokratizimin dhe vendimmarrjen ekonomike dhe politike të Shqipërisë.

"Ndërkohë që Shqipëria ka ende nevojë për të përmirësuar procesin zgjedhor, shoqëria civile ka përsosur aftësitë për një vëzhgim të paanshëm të zgjedhjeve, në mënyrë që ato të jenë të pastra dhe të ndershme. Shqiptarët po ndërgjegjësohen se
përgjegjësia qytetare është baza e një shoqërie të lirë. Detyrimet qytetare janë sa vullnetare aq edhe të nevojshme" - tha zoti Landau.

Drejtori i USAID-it, Landau, tha se qytetarët shqiptarë janë vetë protagonistët e ndërtimit të një demokracie të vërtetë, sepse, sipas tij, një demokraci e ngritur nga brenda shoqërisë është edhe më jetëgjatë.

"USAID inkurajon qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë përpjekjet për forcimin e demokracisë. Qeveria e SHBA dhe USAID do të gjejnë rrugë të reja për të mbështetur përpjekjet demokratike të shoqërisë shqiptare" - tha zoti Landau.

USAID është financuesi kryesor i programit "Demokraci dhe Qeverisje në Shqipëri", ku morën pjesë Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit, zyra IREX për mbështetjen e medias si edhe "Partnerët për Ndryshim Demokratik" për këshillim juridik të shoqërisë civile. //iç//

XS
SM
MD
LG