Lidhje

Hashim Thaçi merr mandatin për formimin e qeverisë së re


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, caktoi sot kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin për mandatar të qeverisë së re të Kosovës.

Pas një takimi me zotin Thaçi ai kërkoi prej tij që në afatin më të shkurtër kohor të bëjë këshillimet e nevojshme me partitë politike për të formuar koalicionet për qeverinë e re dhe të dalë me propozim para Parlamentit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit ndërsa pas saj radhiten Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zoti Thaçi, duke i falëndruar qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi zgjedhor, tha se Kosova po dëshmon edhe njëherë se është e bashkuar dhe e përgatitur për shtet.

Zoti Thaçi ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës me të cilët është pajtuar që të vazhdojnë bisedimet për krijimin e qeversië së re. Ai ka theksuar se do të këshillohet me të gjitha partitë para se të propozojë përbërjen e qeverisë.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë bërë thirrje për ndërtimin e shpejtë të institucioneve të reja, ndërsa janë shprehur në favor të një qeverie me bazë të gjerë. //iç//

XS
SM
MD
LG