Lidhje

Trajtim me qeliza embrionale për fëmijë të verbër; Kontrolli i  anestezisë gjatë operacionit


Trajtim me qeliza embrionale

Para 3 javësh ne ju njohëm me rastin e një fëmije të verbër amerikan që kishte shkuar në Kinë për një trajtim me qeliza embrionale. Duke marrë shpresë nga kjo ngjarje, një familje në shtetin Virxhinia, që ka një vajzë e cila nuk shikon, vendosën të bëjnë të njëtën gjë.

Një vajzë 5 vjeçare e verbër dhe familja e saj u nisën këto ditë për në Kinë ku ajo do t’i nënshtrohet procedurës mjekësore me qeliza embrionale për rigjenerimin e nervit optik. Ky udhëtim e trajtim nuk është pa shpenzime dhe interesant është edhe fakti se pjestarët e komunitetit ku ata jetojnë grumbulluan për ta rreth 30 mijë dollarë për mbulimin e shpenzimeve të nevojëshme.

I ati i Amajas thotë se një natë e shoqja e tij e mori në telefon dhe fillloi të qante duke thënë se donte që Amaja të shikon si gjithë fëmijët e tjerë. Unë ndodhesha në një Seminar, dhe i thashë “Lutju Zotit, vetëm lutu për këtë dëshirë”.

Kinan Tajler thotë se pas disa vitesh lutje e lotë, bashkëshortja e tij gjeti shpresën që kërkonte. Ajo mësoi se mjekët në Kinë po kryejnë një procedurë eksperimentale duke përdorur qeliza embrionale të kordonit umbilikal, tub që lidh fetusin me uterin, për të ndihmuar fëmijët që kanë lindur me nervin optik të pazhvilluar ose Hypoplasi.

E ëma e Amajas thotë se kjo procedurë nuk ka të bëjë aspak me klonim, por është thjesht krijim qelizash për të rigjeneruar ato që janë dëmtuar.

Më ngjesin e datës 8 dhjetor, Amaja dhe e mëma e saj filluan udhëtimin e tyre për në Kinë apo në anën tjetër të globit, aq larg është ky vend.

Gjatë 30 ditëve të ardhëshme, Amaja do të marrë transfuzion qelizazh embrionale në Kinë, pasi kjo procedurë nuk lejohet në Shtetet e Bashkuara.

Me ndihmën e pjestarëve të kishës ku kjo familje është anëtare, ata grumbulluan 30 mijë dollarë për të mbuluar shpenzimet e trajtimit mjekësor dhe të qëndrimit në Kinë.

Nëna e Amajës thotë se vetëm brenda një muaji, besimtarët në Kishë dhuruan 20 mijë dollarë për Amajën. Megjithëse nuk është e sigurt që kjo procedurë trajtimi do të jetë e suksesshme, familja Tajler është plot shpresë.

Kur Amaja të kthehet nga Kina, thonë zonja Tajler, mbarë shteti i Virxhinias do të habitet që ajo shikon. Megjithëse këta prindër nuk presin që shërimi të jetë i menjëhershëm, ata thonë se janë të bindur se Amajas do t’i kthehet shikimi 100 përqind.

Kontrolli i anestezisë gjatë operacionit

Në prag të operimit, pacientët mendojnë se me anestezi ata nuk do të ndjejnë ndonjë dhimbje. Por në raste të rralla, disa pacientë thonë se gjatë operacionit ata janë përmendur, kanë hapur syrë e janë tmerruar duke parë kirrugun e duke ndjerë në trup bisturinë e tij. Një ngjarje e tillë tregohet e dramatizuar edhe në filmin e ri me titull “Zgjimi” dhe kjo ka rindezur debatet rreth fenomenit të zgjimit gjatë operacionit.

Kjo pjesë nga filmi tregon se si një pacient i vënë në gjumë nga narkoza, papritur zgjohet. Ai ndjen dhimbje të tmerrshme. Por është i pafuqishëm për të komunikuar me kirurgun.

Xhanet Magdalen ka të njëjtën përvojë. Ajo thotë se sapo bisturia e kirurgut preku trupin e saj, e ndjeu menjëherë, por nuk ishte në gjendje të thërriste e as të fliste. E dinte se ishte zgjuar, por krejtësisht e pafuqishme fizikisht.

Mjekët thonë se incidentet kur anestezia nuk ka efekt dhe pacienti zgjohet gjatë operacionit, janë shumë të rralla. Ata thonë se çdo vit mes 1 milionë pacientëve të tillë, rastet e zgjimit gjatë operimit ndeshen në më pak se 1 përqind. Por kur kjo ndodh, arsyeja është se anestezisti ka bërë ndonjë gabim, duke i dhënë pacientit dozë më të pakët ose ilaç të gabuar. Një tjetër arsye mund të jetë edhe bllokimi i venës apo shiringës së anestezisë.

Ka kohë që disa spitale kanë filluar të përdorin një procedurë të quajtur elektro-encefalo-grafi, ose EEG për të vëzhguar veprimtarinë e trurit të pacientit gjatë operacionit.

Doktor Xhon Zervas pranë spitalit Herman thotë se nëpërmjet këtij aparati mjekët mbikqyrin veprimtarinë e trurit që pasqyrohet në mënyrë grafike. Kur shkalla e grafikut rritet mbi një nivel të caktuar, kuptohet se pacienti ka gjasa të zgjohet dhe në këtë rast mjekët shtojnë dozën e narkozës.

Bill Hamm, një tjetër pacient, thotë se e ndjehu veten të mbrojtur kur mësoi se gjatë operimit mjekët do të përdornin aparatin EEG për të t’u siguruar që ai të mos zgjohej gjatë operacionit.

Disa mjekë nuk kanë shumë besim tek efektiviteti i një aparati të tillë. Por edhe pacientët kanë të drejtat e tyre. Këtu në Amerikë, një grup mbi të drejtat e pacientëve i këshillon të gjithë pacientët që para se të hyjnë në sallën e operimit, ata kanë të drejtë t’i bëjnë mjekut pyetje nga më të ndryshmet që lidhen me shëndetin e tyre. Dhe pyetja e parë është; A ka spitali një aparat për kontrollin e veprimtarisë së trurit gjatë operacionit?, dhe, A premton mjeku se ky aparat do të përdoret gjatë operimit? Nëse spitali nuk ka një aparat EEG, atëherë pacienti ka të drejtë të bëjë pyetje të tjera para se të hyjë në sallën e operimit.

XS
SM
MD
LG