Lidhje

Serbi: Popullata po humbet shpresën për kompromis mbi statusin e Kosovës


Në rrugët e Beogradit shumë banorë shprehen se e kanë humbur durimin në mundësinë e ndonjë kompromisi dhe e shohin të panevojshme që të ketë negociata të mëtejshme: Voxpop Bisedimet janë vetëm një shpenzim i kotë kohe.

E vetmja gjë që mund të bëjë Serbia tani, thotë analisti politik Nebojsha Spaiç, është të përpiqet që çështja të zgjidhet në një formë sa më të padëmshme për Serbinë, duke aluduar se pavarësia do të jetë e pashmangshme.

"Realiteti është se nuk gjendet ndonjë shqiptar në botë që dëshiron gjë tjetër, përveç pavarësisë. Duke pasur parasysh këtë realitet, duhet gjetur një rrugë nga e cila pala serbe të mos mbetet shumë e dëmtuar politikisht apo në mënyra të tjera në këtë proces," thotë analisti.

Por takimi i djeshëm i ministrave të jashtëm të BE-së nuk duket se ka zbutur qëndrimin e autoriteteve serbe. Presidenti Tadiç u shpreh mbrëmë se Serbia do të bllokonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia vazhdon të gëzojë mbështetje nga aleatja e saj tradicionale, Rusia, e cila këmbëngul në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët.

Në komentet që bëri mbrëmë pas konsultimeve me homologët e Bashkimit Evropian, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi nevojën për vazhdimin e negociatave.

"Nuk ka ndonjë zgjidhje magjike që do t’i kënaqte të gjithë. Siç e dini, Rusia mbështet vazhdimin e negociatave mbi bazën e punës së mirë që është realizuar përmes angazhimit të Treshes. Prandaj mbështesim vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit," thotë zoti Lavrov.

Megjithë këmbënguljen e Rusisë, e cila gëzon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana thekson se përpjekjet për një zgjidhje brenda Këshillit të Sigurimit duhet të vazhdojnë

"Nuk ka arsye përse të mos arrihet marrëveshje në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, nuk do të tregohem naiv dhe të mendoj se do të jetë e lehtë. Nuk do ta them në mënyrë të prerë që do të ketë marrëveshje, por ne duhet të përpiqemi për arritjen e saj," thotë zoti Solana.

Përpjekjet për zgjidhjen e statusit shënuan një hap përpara dje me arritjen e një konsensusi të 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Qipros, në mbështetje të njohjes së një Kosove të pavarur në të ardhmen. Me angazhimin më aktiv të BE-së në këtë çështje, Kosova ka tani një periudhë të ngarkuar përpara, thekson përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson.

"Në 2008-n, gjatë gjysmës së parë të vitit do të ndeshemi me një periudhë mjaft të ndërlikuar. Do të shohim një situatë disi të brishtë, së pari me vendosjen e misionit të ri politik të BE-së që do merret me vëzhgimin e zbatimit të planit Ahtisari, si dhe të një pranie më të madhe policore dhe të një misioni juridik të Bashkimit Evropian, që do të marrin përsipër kompetencat e misionit të OKB-së," thotë zyrtari i GNK-së.

Krerët e shteteve të Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 14 dhjetor për të diskutuar ndër të tjera edhe çështjen e Kosovës, ndërsa Këshilli i Sigurimit do të diskutojë më 19 dhjetor raportin e Treshes Ndërkombëtare mbi gjendjen e deritanishme në procesin e statusit. //ad//

XS
SM
MD
LG