Lidhje

Kosova pas 10 dhjetorit


Ndërsa udhëheqësit e Kosovës thonë se pavarësia do të shpallet së shpejti, këtu në Washington analistët nuk bien dakord nëse kjo lëvizje do t’i shërbejë ose jo qendrueshmërisë në Ballkan ose më tej. Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës dhe Obrad Kesiç i firmës konsulente TSM Global diskutuan për çështjen e Kosovës në një takim të organizuar dje nga qendra Udrou Vilson në Uashington.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka në plan të marrë në shqyrtim çështjen e Kosovës më 19 dhjetor. Në fillim të vitit ai nuk arriti ta kapërcente ngecjen për zgjidhjen e statusit. Edhe pas përfundimit më 10 dhjetor të periudhës 120 ditëshe të diskutimeve mes palëve të ndërmjetësuara nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, palët mbetën në pozitat e tyre diametralisht të kundërta.

Analistët politikë, Elez Biberaj dhe Obrad Kesiç janë të mendimit se do të ishte tejet e dobishme që statusi i Kosovës të përcaktohej nga Këshilli i Sigurimit, pasi do ta bënte më të thjeshtë njohjen e saj dhe më të lehtë për Beogradin ta pranonte vendimin.

Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, tha se pas përfundimit pa rezultat të të gjitha përpjekjeve të bëra që palët shqiptare dhe serbe të gjenin rrugën e kompromisit, pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për statusin e saj përfundimtar.

“Pavarësia e Kosovës nuk do të çonte në rifillimin e gjakderdhjeve në Ballkan, në qoftë se komuniteti ndërkombëtar do të kishte vullnetin politik dhe aftësinë për të menazhuar periudhën kalimtare. Në qoftë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, tha ai, do të binin dakord për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, që tani ka shumë të ngjarë të realizohet, rreziqet për një krizë serioze dhe riffilimin e gjakderdhje në rajon janë të pakta”.

Megjithatë, theksoi Dr. Biberaj, në qoftë se Uashingtoni dhe Brukseli nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, por organizojnë negociata të mëtejshme, për më tepër i hapin rrugën Rusisë të ushtrojë të drejtën e vetos lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, ekziston një probabilitet i lartë për rifillimin e dhunës, që ka shumë të ngjarë të mos kufizohet vetëm në Kosovë, por të përhapet edhe në pjesën jugore të Serbisë dhe në Maqedoninë Perëndimore.

Analisti Obrad Kesic i firmës TSM Global është tejet kritik për qendrimin amerikan në favor të pavarësisë së Kosovës, që sipas tij është shkaku kryesor i situatës së komplikuar aktuale. Ai shikon katër variante të mundëshme, pas bisedimeve 120 ditëshe që u mbyllën pa rezultat më 10 dhjetor: Një marrëveshje të plotë në Këshillin e Sigurimit dhe në Bashkimin Evropian për pavarësinë e Kosovës, që do ta thjeshtonte dhe zgjidhte përfundimisht çështjen. Shpalljen e njëanëshme të pavarësisë nga parlamenti në Prishtinë që do të pasohej me njohjen e saj nga Shtetet e Bashkuara, nga disa vende të Bashkimit Evropian, si dhe vende të tjera. Shtyrja e zgjidhjes, duke e kthyer të gjithë këtë në një “konferencë të ngrirë” siç është rasti i Qipros ose i Saharës Perëndimore, gjë që do t’u hapte rrugën trazirave nga ana e shqiptarëve, do të krijonte probleme lidhur me mbrojtjen e pakicave në Kosovë, si dhe do të sillte destabilizimin e Maqedonisë, Serbisë Jugore dhe Malit të Zi. Për zotin Kesiç më i pranueshëm do të ishte një proces “fazazh neurtale”, siç u shpreh ai.

“Një proces “fazazh neutrale” , bazuar në idenë e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, do të thotë një vetqeverisje të plotë për Kosovën brenda kufijve të Serbisë, marrëdhënie dhe anëtarësim të saj në organizatat ndërkombëtare, por jo një vend në Kombet e Bashkuara, një Kosovë plotësisht e lirë nga Serbia në marrjen e vendimeve politike, ekonomike dhe aspekte të tjera. Në kuadrin e këtij skenari, çështja e sovranitetit mund të diskutuohej në një kohë tjetër”.

Serbia thotë se pavarësia e Kosovës do të përbënte shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Beogradi nuk do ta njihte atë. Qeveria e Kosovës nuk pritet ta shpallë pavarësinë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se mbështesin planin Ahtisari për pavarësi të mbrikqyrur. Gjithsesi, statusi i Kosovës është një nga çështjet më të mprehta në arenën ndërkombëtare, që po ndiqet me shumë vemendje nga qarqe nga më të ndryshmet. //iç//

_______

Mendimet e shprehura nga Dr. Elez Biberaj në diskutimin e organizuar nga Qendra Udrou Vilson janë personale dhe jo ato të Zërit të Amerikës.

XS
SM
MD
LG