Lidhje

Pushteti dhe prirjet për abuzime


Politikani britanik i shekullit të 19 Lordi John Acton pat thënë: pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Kjo thënie u vu kohët e fundit në provë nga disa universitete amerikane për të parë nëse ende ruan vërtetësinë, dhe siç treguan studimet, ajo qëndron edhe sot e kësaj dite mbi themele të forta:

Ka shembuj të shumtë personash që kur marrin një pozitë të rëndësishme e kanë pastaj të pamundur të gjykojnë gjërat nga prizmi i të tjerëve. Adam Galinsky, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin Northwestern në Ilinois, vë në dukje raste flagrante të abuzimit të pushtetit në korporata apo poste qeveritare në Shtetet e Bashkuara:

"Në korporata vërejmë se drejtuesit paguhen deri në 40 herë më shumë se punonjësit e thjeshtë, ndërsa 30-40 vjet më parë paga e tyre ishte vetëm pak më e lartë. Në aspektin politik ai merr si shembull republikanët që kanë pasur nën kontroll si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe Kongresin, gjatë 6 viteve të fundit, gjë që ka rezultuar në mospërfilljen në një masë të madhe të kundërshtarëve."

Sipas Galinskyt, pas marrjes së Kongresit nga demokratët, është përmirësuar bashkëpunimi ndërmjet degës legjislative dhe asaj ekzekutive të pushtetit.

"Hierarkia është e pashmangshme. Por sjellja e atyre që janë në pozita drejtuese nuk është e pashmangshme dhe mund të strukturohet në forma të ndryshme. Një nga rrugët për t’u siguruar që ata në krye nuk do të lënë në harresë pikëpamjet e të tjerëve është duke i mbajtur drejtuesit përgjegjës. Për këtë arsye ngrihen bordet drejtuese. Për këtë arsye degët e pushtetit janë të pavarura nga njëra-tjetra. Pra për sa kohë që ekziston hierarkia, duhet të ketë edhe mënyra për kërkesë llogarie dhe për të ushtruar presion mbi drejtuesit."

Sipas studimeve, edhe personat që në jetën e përditshme i konsiderojmë si njerëz me shpirt të madh dhe komunikues, pësojnë transformim psikologjik kur vijnë në poste drejtuese. Daccer Keltner, psikolog në Universitetin e Kalifornisë në Berkli, ka bërë studime të ngjashme me ato të profesor Galinskit dhe pohon se në fillimet e karrierës së tij e ndjeu edhe vetë sa kënaqësi të jep ndjenja e shndërrimit nga një individ i pafuqishëm në një person me pushtet:

"Kur vazhdoja studimet pas-universitare dhe ende nuk kisha emër në karrierë nuk ma vinte njeri veshin. Shumicën e kohës flisnin këshilltarët e mi akademikë më të njohur. Shpesh ndjehesha i penguar dhe si budalla. Por sapo kalon në një pozitë më me pushtet, pikërisht kur u emërova asistent profesor, menjëherë ndryshuan rolet. U bëra më impulsiv, më i çliruar, flisja hapur pa menduar për opinionet e të tjerëve. Unë isha po i njëjti person, por roli i ri më kishte ndryshuar. Të gjithë që marrin më dorë më shumë autoritet e bëjnë një gjë të tillë."

A ka njerëz në pozita drejtuese, që nuk kanë abuzuar asnjëherë, qoftë edhe një herë të vetme me pushtetin? Në se jo, bravo u qoftë, thotë, profesor Keltner. //ad//

XS
SM
MD
LG