Lidhje

Pasojat e pavarësisë së Kosovës tek  qëndrueshmëria e Ballkanit


Ndërsa udhëheqësit e Kosovës thonë se pavarësia do të shpallet së shpejti, këtu në Washington analistët nuk bien dakord nëse kjo lëvizje do të nxisë apo rrezikojë qëndrueshmërinë në Ballkan.

Qeveria e Kosovës nuk pritet ta shpallë pavarësinë të paktën deri në fillim të janarit dhe shumica e udhëheqësve të saj thotë se kjo lëvizje duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Serbia thotë se pavarësia e Kosovës do të përbënte shkelje rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Beogradi nuk do ta njihte atë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përkrah planin Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur.

Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës tha dje në një forum në qendrën Wilson në Washington se pavarësia e Kosovës do t’i shërbejë qendrueshmërisë rajonale.

“Status-quo-ja nuk është as në interesin e Serbisë, as në interesin e Kosovës dhe as në interesin e vendeve fqinjë”.

Alan Kuperman, analist për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Teksasit, nuk është i këtij mendimi. Ai thotë se pavarësia e Kosovës mund të shkaktojë luftë. Ai shton se pika shpërthyese mund të jetë Mitrovica dhe se me shpalljen e pavarësisë, policia serbe në Veri do të largohej nga forca e policisë e Kosovës.

“Ata do të heqin uniformat e policisë së Kosovës dhe do të veshin ato serbe. Dhe kjo do të ishte shkëndija për shpërthimin e luftës, pasi policët serbë do të ishin duke patrulluar në një Kosovë të pavarur”.

Komandanti francez i KFOR-it, ka thënë se 16 mijë trupat e NATO-s janë në gjendje të garantojnë sigurinë.

Obrad Kesic, analist i politikës serbe mendon gjithashtu se zona në veri të Mitrovicës ku jeton 40 për qind e 100 mijë serbëve të Kosovës, është një pikë ku mund të shpërthejë dhuna.

“Nëse krijohet ideja se serbët në Mitrovicë dhe në veri të lumit Ibër janë të rrezikuar, Serbia do të përballet me një vendim shumë të vështirë për mënyrën sesi do të reagojë”.

Zoti Kesic thotë se është e pamundur të parashikohet sesi do të zhvillohen ngjarjet javët e ardhshme. Ai, ashtu si edhe zoti Kuperman nuk e përjashton mundësinë e konfliktit ushtarak.//kk//

XS
SM
MD
LG