Lidhje

SHBA, Shqipëri realizojnë asgjësimin e municioneve të rrezikshme


Shqipëria realizoi me sukses një tjetër projekt në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara për shkatërrimin e armëve.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit thuhet se rreth 40 mijë mina detare, bomba ajrore dhe trupa torpedosh janë shkatërruar efektivisht. Pas asgjesimit të të gjitha armëve të saj kimike në verën e këtij viti, ushtria shqiptare këtë herë shkatërroi mbi 2.700 ton municione.

Në një ceremoni të organizuar në Tiranë me këtë rast, mori pjesë edhe Ambasadori Donald Mahlei, Zv.Ndihmës Sekretar i Shtetit, në detyrë, për Pakësimin e Kërcënimeve, Kontrollin e Eksporteve dhe Negociatat, i cili mbikqyr Byronë e Sigurisë Ndërkombëtare dhe Mospërhapjes së Armëve.

Sipas përfaqësuesve amerikanë shkatërrimi i këtyre armëve eliminoi një burim të mundshëm materialesh që mund të përdoreshin nga terroristët apo t’u shiteshin në mënyrë të jashtëligjshme sponsorizuesve shtetërorë të terrorit dhe shteteve të tjera shqetësuese. Për shkak se shumica e këtyre armëve ishin magazinuar në një duzinë repartesh anembanë Shqipërisë, shumë prej të cilave pranë shtëpive dhe shkollave, ato paraqisnin edhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.

Projekti u vu në zbatim nga Fondi për Mospërhapjen dhe Çarmatimin, një fond në dispozicion të Departamentit të Shtetit të Sh.B.A. për të trajtuar mundësi dhe emergjenca të paparashikuara mospërhapjeje të armëve dhe çarmatimi.

XS
SM
MD
LG