Lidhje

Udhëheqësit e BE-së nënshkruajnë një marrëveshje historike

  • Liza Brajënt

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nënshkruan një marrëveshje historike, që ristrukturon procesin vendimmarrës të Bashkimit dhe garanton të drejtat bazë të njeriut. Zyrtarët e të 27 shteteve të Bashkimit Evropian morën pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar në Lisbonë. Presidenti i Parlamentit Evropian Hons-Gert Pottering e vlerësoi traktatin si një dokument që do të nxisë demokracinë në Evropë. Traktati i Lisbonës zëvendëson kushtetutën e dështuar të Bashkimit Evropian që votuesit hollandezë dhe francezë kundërshtuan në vitin 2005. Disa organizata në Evropë, i kanë kritikuar udhëheqësit për nënshkrimin e dokumentit të ri pa u votuar nga publiku. Irlanda është vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që i kërkohet të mbajë një referendum për traktatin. Kryeministri britanik Gordon Braun ra në sy, që nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e Lisbonës. Ai po merrte pjesë në një komision parlametar në Londër, pas kritikave me të cilat ai u ndesh brenda vendit, ngaqë nuk pranoi të zhvillohet referendumi. Kryeministri britanik shkoi më vonë në Lisbonë dhe nënshkroi traktatin pas drekës me udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Evropian

Traktati i ri i Bashkimit Evropian përfshin plane për krijimin e postit të një Komisioneri të Jashtëm evropian dhe zgjatjen e mandatit të presidencës, e cila sipas sistemit të tanishëm kalon nga një vend anëtar tek tjetri, çdo gjashtë muaj.

Traktati synon gjithashtu të ristrukturojë organizatën, duke e zvogëluar Parlamentin Evropian dhe duke pakësuar numrin e vendimeve që kërkojnë një votë unanime. Në përgjithësi, traktati synon t’i japë Bashkimit Evropian një politikë të jashtme më efektive, një udhëheqje më të fortë dhe një proces vendim-marrës më demokratik. Por ai është shumë më pak ambicioz sesa kushtetuta që blloku u mundua të ratifikonte në vitin 2005.

Votuesit francezë dhe holandezë e kundërshtuan dokumentin, duke bllokuar miratimin e tij. Presidenti i Parlamentit Evropian, Gert Potering ishte midis shumë politikanëve evropianë që e vlerësoi traktatin e ri, duke thënë se ai nënvizon transformimet madhore të bllokut gjatë viteve. Ai foli rreth ndryshimeve që i kishte përjetuar vetë që kur hyri në Parlamentin Evropian në vitin 1979.

"Në vitin 1979, Parlamenti Evropian nuk kishte asnjë pushtet legjislativ dhe tani, edhe para se ky traktat të hyjë në fuqi, ne miratojmë rreth 75 përqind të legjislacionit evropian. Me këtë reformë procesi i marrjes së vendimeve të përbashkëta rritet në 100 përqind. Kjo është më demokratike, më parlamentare dhe na jep më shumë mundësi të mbrojnë besimin, të drejtat dhe ambiciet e qytetarëve të Bashkimit Evropian" ,- tha ai.

Zoti Potering vlerësoi gjithashtu kartën e re të të drejtave themelore të qytetarëve evropianë, që është përfshirë në traktat, megjithëse jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit po e nënshkruajnë këtë shtojcë.

Shumë qeveri të Bashkimit Evropian thonë se për ratifikimin e dokumentit nuk është i nevojshëm një referendum – duke zgjedhur në vend të kësaj, votimin në Parlament. Vetëm Irlanda, sipas kushtetutës së saj, do të detyrohet të zhvillojë një referendum. Kjo i bën shanset e dështimit të këtij traktati shumë të pakta. //lk

XS
SM
MD
LG