Lidhje

BE-ja fillon takimin e nivelit të lartë për Kosovën


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbajnë sot në Bruksel një takim ku do të përpiqen të dalin me një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Një nga kryeministrat evropianë tha dje se për të dalë me një vendim ndoshta do të pritej deri pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi që janë në plan të mbahen më 20 janar. Deklarata e kreut të qeverisë suedeze vjen pasi, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn tha vendimi për statusin e Kosovës do të merret gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbërritën dje në Belgjikë në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje çështjes së Kosovës.

Kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt sugjeroi që të pritej për marrjen e një vendimi deri pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen më 20 janar me një raund të dytë të mundshëm më 3 shkurt.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme lidhur me kërkesën e Kosovës për pavarësi është që të jemi të bashkuar, dhe ndoshta të prisnim sa të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në Serbi, por duhet të përfundojmë diskutimet para se të shprehim qëndrimin tonë”.

Deklarata e zotit Reinfeldt përputhet me afatin kohor që deklaroi dje komisioneri i BE-së për Zgjerimin Olli Rehn, sipas së cilit vendimi mbi statusin e ardhshëm të Kosovës do të merret gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

Zoti Rehn i tha një gazete të përditshme finlandeze se duhet të gjendet një zgjidhje, sepse situata e tanishme nuk është e qëndrueshme. Megjithatë, ai tha se procesi do të marrë kohë.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mbërriti po dje në Bruksel për takimin e BE-së.

"Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të përparojë duke ruajtur pozita kolonialiste në rajon. Këtij qëndrimi i ka ardhur fundi”, tha ai.

Anëtaret e Bashkimit Evropian, Greqia, Spanja, dhe Sllovakia druhen se pavarësia e Kosovës do të inkurajonte lëvizje separatiste në vende të tjera.

Qiproja, një aleate tradicionale e Serbisë, bllokoi këtë javë një marrëveshje për një qëndrim të përbashkët të BE-së për Kosovën, si edhe planet për dërgimin e një misioni të BE-së me 1 mijë e 800 forca të rendit dhe sigurisë atje.

Diplomatët evropianë thonë se udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë një plan në të cilin Britania, Franca, Gjermania dhe Italia do ta njihnin pavarësinë e Kosovës brenda 48 orësh nga shpallja e saj. Vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i pasonin.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian në takimin e nivelit të lartë nuk pritet të marrin ndonjë vendim për Kosovën. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta diskutojë çështjen e Kosovës me 19 dhjetor. //kk//

XS
SM
MD
LG