Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje Kongresit të miratojë një sërë ligjesh

  • Skot Stërns

Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të miratojë një sërë ligjesh, përfshirë atë të luftës në Irak, që nuk përmban afate ose kërkesa për tërheqjen e trupave.

Presidenti Bush tha se ndihet i inkurajuar nga mundësia e arritjes së një marrëveshjeje në Kongres, për financimin e programeve federale dhe të luftës në Irak.

“Gjatë ditëve të fundit ligjvenësit kanë bërë përparim të rëndësishëm drejt ngushtimit të dallimeve. Unë jam i kënaqur nga njoftimet se ata janë pranë marrëveshjes. Ka ende shumë çështje për t’u zgjidhur, por shpresoj që Kongresi do të miratojë një buxhet pa shpenzime të tepërta dhe pa ngritur taksat. Pres që Kongresi të miratojë fondet që unë kërkova për luftën në Irak, pa vendosur afate artificiale për tërheqjen e trupave.”

Në se Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin në tërësi, Presidenti thotë se ligjvenësit nuk duhet ta shtyjnë për vitin e ardhshëm punën që duhet të kishin përfunduar në 2007. Në rast të tillë, tha ai, Kongresi duhet të miratojë një ligj për financimin e qeverisë për një vit, bazuar në nivelet aktuale, pa përfshirë shpenzime të tepërta ose shtuar taksat.

Presidenti i bëri këto komente sot në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit të fundit me kabinetin e tij për vitin 2007. Presidenti i kërkoi gjithashtu Kongresit të zgjasë mandatin e ligjit që parashikon përgjimin e bisedave të të dyshuarave për terrorizëm në vende të tjera si dhe të amerikanëve të dyshuar, që kryejnë thirrje telefonike me vende të tjera.

“Kongresi duhet të miratojë ligjin që u krijon mundësi ekspertëve të zbulimit të vazhdojnë përgjimin e komunikimit të terroristëve.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar, ndërkohë, një projekt-ligj që i ndalon organet e zbulimit të përdorin disa taktika kundërthënëse hetimore, përfshirë simulimin e mbytjes me ujë. Presidenti ka thënë se do t’i vërë veton një ligji të tillë.//lk

XS
SM
MD
LG