Lidhje

Gazetarët bëjnë parashikime për zhvillimet pas raportit të treshes


Afati për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar për të ardhmen e Kosovës përfundoi me 10 dhjetor pa ndonjë konsensus. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës thonë tani se do të shpallin pavarësinë brenda pak muajve. Zëri i Amerikës bisedoi me gazetarë gjermanë dhe rusë për zhvillimet që mund të ndodhin më tej.

Kosova është tema e një mosmarrëveshjeje territoriale dhe politike mes qeverisë serbe dhe popullsisë shqiptare që përbën shumicën. Që kur NATO-ja ndërhyri në vitin 1999 për të mbrojtur shqiptarët nga ushtria serbe, Kosova është administruar nga OKB-ja. Negociatat ndërkombëtare filluan në vitin 2006 për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë nga Serbia, ndërsa Beogradi e kundërshton atë. Uashingtoni mbështet planin e ndërmjetësit të OKB-së për pavarësi të mbikqyrur, ndërsa Rusia mbështet autonominë e gjerë brenda Serbisë.

Ministrat e jashtëm të BE-së nuk arritën të dilnin me një qëndrim të përbashkët këtë javë në Bruksel pro pavarësisë së Kosovës. Shumica e 27 vendeve mbështesin pavarësinë, pëveç Qipros. Greqia, Spanja dhe Sllovakia hezitojnë gjithashtu ta mbështesin plotësisht pavarësinë. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të nxiste lëvizje të tjera separatiste. Këshilli i Sigurimit do t’i diskutojë qëndrimet e treshes, SHBA, Rusi dhe BE me 19 dhjetor.

Matias Rueb, shef i zyrës së gazetës Frankfurter Allgemeine në Uashington thotë se nuk ishte habi që afati për arritjen e një zgjidhjeje nga treshja kaloi pa ndonjë marrëveshje.

“Ishte e qartë se rusët dhe serbët po përpiqeshin të fitonin kohë. Shqiptarët nuk duhet të nguten për të shpallur pavarësinë para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që të mos u japin krahë ultranacionalistëve.”

Gazetari rus Igor Zevelev, shef i zyrës së RIA Novesti, agjencia ruse e lajmeve dhe informacionit në Uashington, thotë se Rusia do të vazhdojë të bllokojë rezolutën pro pavarësisë së Kosovës.

“Këshilli i Sigurimit mund të dalë me një deklaratë pa fuqi ligjore që do të pasqyrojë mendimet e ndryshme. Shumica e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara duket se do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Por pozicioni rus në Këshillin e Sigurimit nuk do ta lejojë atë të bëhet anëtare e OKB-së.”

Zoti Zevelev thotë se nuk mund të parashikohet nëse do të ketë dhunë në Kosovë. Serbët në veri të Kosovës mund të kërkonin ndarjen nga shteti i ri dhe bashkimin me Serbinë. Përveç kësaj, vende të tjera evropiane që kanë pakica mund të ndiheshin të kërcënuar.

Por Matias Rueb thotë se shumica e anëtarëve të BE-së nuk mendojnë se Kosova do të krijojë një precedent, dhe se kërcënimi për dhunë është i ekzagjeruar.

Beogradi ka kërcënuar se do të shkëpusë marrëdhëniet diplomatike me vendet që njohin pavarësinë e Kosovës. Por shumë analistë thonë se kjo do të jetë e përkohshme sepse Serbia, eventualisht, dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG