Lidhje

Uashington: Analistët komentojnë mbi ndikimet e pavarësisë


Ndërkohë që afrohet dita e shpalljes së pavarësisë nga Kosova, analistët në Uashington po përpiqen të parashikojnë se ç’ndikime mund të ketë kjo ngjarje në rajon dhe në marrëdhëniet mes Perëndimit e Rusisë. Katër vëzhgues të njohur të problemeve ndërkombëtare diskutuan dje pikërisht mbi këto ndikime gjatë një tryeze të rrumbullakët në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, organizatë e respektuar këtu në Shtetet e Bashkuara.

Analistët janë dakord me idenë se më e mira do të ishte që pavarësia e Kosovës të arrihej nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kështu shprehet Daniel Serwer, analist i Institutit Amerikan të Paqes. Prishtinës, thotë analisti, nuk i nevojitet shpallja e pavarësisë, asaj i nevojitet njohja ndërkombëtare, prandaj është shumë e rëndësishme që shpallja e pavarësisë të bëhet në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zoti Serwer mendon se çështja e zgjedhjeve në Serbi nuk duhet të lidhet me datën e shpalljes së pavarësisë, sepse, shpjegon ai, radikalët tashmë janë në fuqi në Serbi.

Analisti thotë se Serbia nuk duhet të merret me të mirë, përkundrazi ajo duhet paralajmëruar që të mos vazhdojë ta pengojë Kosovën dhe Bosnjen në rrugën drejt Europës.

"Ne duhet t’i kërkojmë Serbisë që të mos vendosë embargon kundër Kosovës, sepse nëqoftëse e bën këtë, do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian. Beogradi ka kërcënuar se do të ndërpresë marrëdhëniet me Uashingtonin nëse Shtetet e Bashkuara njohin pavarësinë e Kosovës. Mirëpo të thuash të vërtetën, ata na e kanë më shumë nevojën se sa ua kemi ne atyre.”

Janusz Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare komentoi rreth qendrimit të Rusisë dhe interesave të saj lidhur me çështjen e statusit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, thotë zoti Bugajski, duhet ta kuptojnë se kompromisi dhe marrja me të mirë e Rusisë nuk funksionojnë. Kosova është e rëndësishme për Rusinë thjesht nga ana taktike prandaj vendet perëndimore duhet t’i rezistojnë asaj, tha analisti.

"Mendoj se Rusia preferon që Kosova të shndërrohet në një konflikt të ngrirë sepse kështu ajo do të mund të zgjeronte ndikimin e saj dhe do të mund të parandalonte lindjen e një shteti të ri që do të ishte pro-perëndimor, pro-Nato dhe pro-amerikan."

Por Dimitri Simes, Presidenti i Qendrës Nixon, thotë se megjithëse Rusia mund të mos quhet një shtet demokratik, edhe shtetet jo demokratike kanë interesa të caktuara të cilat i mbrojnë:

"Rusia do ta interpretonte njohjen e pavarësisë së Kosovës si një vendim për të mospërfillur pikpamjen e Moskës dhe si një ashpërsim të politikave amerikane dhe europiane ndaj Rusisë."

Ai mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i ndryshonte marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë dhe kjo mund të kishte pasoja të tjera më të gjera, për shembull Moska mund të mos e ndihmojë Uashingtonin në çështjen e Iranit.

Ndërsa profesor Charles Kupchan, i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë mendon se dhuna do të jetë e pashmangëshme në procesin e pavarësisë së Kosovës prandaj duhet menduar se çfarë masash mund të merren për ta mënjanuar atë.

"Mendoj se do të ketë raste të izoluara përplasjesh mes serbëve dhe shqiptarëve dhe ku disa enklava të vogla mund të gjenden në pozitë të vështirë. Jam gjithashtu i shqetësuar për mundësinë e veprimeve të grupeve paraushtarake nga të dyja anët por kam një farë besimi se pas shpalljes së pavarësisë ne nuk do të shikojmë përdorimin në shkallë të gjerë të forcës ushtarake si ajo që ndodhi në vitet 90," thotë profesori.

Zëri i Amerikës: A është NATO-ja në gjendje, siç thotë, të ruajë qetësinë në Kosovë?

Charles Kupchan: Mendoj se numri i trupave është më pak i rëndësishëm se sa rregullat e ndërhyrjes së tyre. NATO-ja ka një numër të mjaftueshëm trupash në terren por mendoj se në Kosovë duhet të dërgohen më tepër njësi policore sidomos në zonën e Mitrovicës, të cilët të jenë të specializuar për shuarjen e trazirave që mund të shpërthejnë. Por më e rëndësishmja është që prania e NATO-s të jetë e dukëshme në terren sepse ky do të ishte një element frenues për të dyja palët në mënyrë që ato të mos shfrytëzojnë situatën për të përdorur dhunën.

Zëri i Amerikës: Mendoni se Rusia është e interesuar që Kosova të kthehet në një konflikt të ngrirë?

Charles Kupchan: Nuk mendoj se Rusia ka tashmë interesa të drejtpërdrejta në Ballkan. Ajo ka lidhje historike me Serbinë në kuptimin e vëllazërimit ortodoks por më duket se Kosova është tepër larg interesave të Rusisë sepse ajo nuk ka naftë, atje nuk ka ndonjë reaktor bërthamor që po ndërtohet nga Rusia.

Profesor Kupchan mendon se kemi të bëjmë thjesht me një demonstrim të forcës nga ana e Kremlinit dhe se më në fund Rusia do të tërhiqet. //ii

XS
SM
MD
LG