Lidhje

Thaçi mirëpret vendimin e BE-së për një mision në Kosovë


Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Hashim Thaçi e mirëpriti vendimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të dërguar një mision të kësaj organizate në Kosovë. Dje, udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord në parim për dërgimin e një misioni policor dhe të sigurimit në Kosovë. Por ata shprehën rezerva për të mbështetur një shpallje të njëanëshme të pavarësisë nga shqiptarët, duke theksuar se kjo çështje i përket Këshillit të Sigurimit. Në komentet e bëra mbrëmë, zoti Thaçi i siguroi vendet evropiane se Kosova nuk do të bëjë ndonjë lëvizje pa përkrahjen e Perëndimit.

Vendimi për dërgimin e një misioni europian në Kosovë shihet nga Prishtina si një hap tjetër drejt shkëputjes nga Serbia.

“Kosova e mirëpret vendimin e udhëheqësve të Bashkimit Europian. Ky është një vendim i drejtë në një kohë të qëlluar. Ne, si kosovarë, jemi të gatshëm dhe të bashkuar për të filluar zbatimin e procesit politik për statusin politik dhe dokumentin e presidentit Ahtisari për të ardhmen e Kosovës. Mendoj se vendimi për njohjen e pavarsisë së Kosovës sa më parë është një hap i domosdoshëm jo vetëm nga udhëheqësit e Bashkimit Europian por edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë,” tha zoti Thaçi.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord të dërgojnë në Kosovë një mision policor dhe sigurie prej 1800 vetësh për të zëvendësuar misionin e Kombeve të Bashkuara. Dje, pas takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Europian shprehën rezerva për të mbështetur një shpallje të njëanëshme të pavarësisë nga shqiptarët, duke theksuar se kjo çështje i përket Këshillit të Sigurimit.

Ka pasur spekulime se Bashkimi Europian do t’i ofrojë Beogradit kushte lehtësuese për anëtarsim në këtë organizatë në shkëmbim të humbjes së Kosovës. Por Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, e hodhi poshtë mundësinë e një kompromisi të tillë për Kosovën.

"Qeveria e tanishme e Serbisë nuk mendon se çështja e statusit të Kosovës dhe anëtarësimi i Serbisë në BE janë diçka që mund të kompensojnë njëra-tjetrën," tha ai.

Më herët, Presidenti francez Nikolas Sarkozi tha se Serbisë i duhej dërguar një sinjal pozitiv për bashkëpunimin me Bashkimin Europian. Duke reaguar rreth kësaj deklarate, zoti Thaçi tha:

“Mesazhi i presidentit Sarkozi është një mesazh i qëlluar, është një mesazh i botës demokratike. Serbia dhe Kosova duhet ta njohin njera tjetrën si dy shtete, për një ardhme demokratike të dy vendeve dhe Kosova është e gatshme ta njohë Serbinë si një shtet.”

Zoti Thaçi i siguroi vendet europiane se Kosova nuk do të bëjë ndonjë lëvizje pa përkrahjen e Perëndimit.

“Kosova nuk do të bëjë asgjë pa Washingtonin dhe Brukselin dhe rruga jonë shkon drejt shpalljes së pavarsisë së Kosovës në koordinim me partnerët tanë perendimorë.”

BE PERGATITET PER MISIONIN NE KOSOVE

Të premten, udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord në parim për dërgimin e një misioni policor dhe sigurimi në Kosovë. Kryeministri i Portugalisë, Jose Socrates, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, tha se udhëheqësit në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ranë dakord të dërgojnë një personel prej 1800 vetësh për të zëvendësuar administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ai tha se udhëheqësit u rezervuan të mbështesnin shpalljen e njëanëshme të pavarësisë nga shumica shqiptare, duke theksuar se kjo çështje i përket Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Disa nga vendet anëtare të BE-së, si Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia kanë nguruar të përqafonin plotësisht kërkesën e shumicës shqiptare për pavarësi, duke shprehur shqetësim se mund të ndizte lëvizje separatiste gjetkë. Por Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.

Kosova ishte ndër temat kryesore në takimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Megjithë hedhjen e një hapi të rëndësishëm përpara në njëjtësimin e qëndrimit evropian ndaj Kosovës, Evropa ende nuk ka arritur unanimitet. Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Potering theksoi se ka ardhur koha që Evropa të jetë e bashkuar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës:

"Këshilla ime do të ishte që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të jenë të bashkuara në mbështetje të vet-vendosjes për Kosovën. Por gjithashtu këshilloj të gjitha palët të tregohen të prera në ndjekjen e parimeve, por elastike në procedura dhe nuk duhet të harrojmë se në Serbi do të ketë zgjedhje në janar, dhe ky është një tjetër fakt që duhet marrë parasysh," tha zoti Potering.

Brenda BE-së, Qiproja mbetet kundërshtarja më e fortë e pavarësisë së Kosovës dhe dërgimit të misionit policor dhe të sigurimit prej 1 mijë e 800 trupash. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana mbështet gjetjen e një zgjidhjeje pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi:

"Ne jemi shumë të kënaqur dhe mbështesim vendimin e Presidentit të Serbisë Tadiç për zhvillimin e zgjedhjeve dhe siç e dini ne besojmë se duhen mbyllur tani edhe fazat e fundit të çështjes së Kosovës," tha zoti Solana.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 20 janar, por partia e kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve deri sa të zgjidhet çështja e Kosovës.

Kryeministri Sali Berisha te premten në Bruksel i bëri thirrje Serbisë të heqë dorë nga pretendimet kolonialiste, siç i cilësoi ai: "Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të arrijë përparim nëse këmbëngul në qëndrimin si fuqi kolonialiste në rajon. Kjo çështje lidhet me qëndrimin e saj kolonialist dhe agjë tjetër," tha kryeministri Berisha."

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti në Moskë qëndrimin e Rusisë, që zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të gëzojë edhe mbështetjen e serbëve.

"Ne po na kërkohet të mos përfillim ligjin ndërkombëtar, rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe deklaratat e OSBE-së, por nga ana tjetër duhet të mos marrim në konsideratë as faktin që në Kosovë jetojnë jo vetëm shqiptarë, por edhe serb," tha shefi i diplomacisë ruse.

Çështja e Kosovës ishte tema mbizotëruese e takimit të udhëheqësve evropianë, në një kohë që Bashkimi përpiqet të dalë me një politikë të jashtme të bashkërenduar në mënyrë që të rrisë rolin e tij në arenën ndërkombëtare. Më 19 dhjetor Këshilli i Sigurimit do të diskutojë raportin e treshes ndërmjetësuese mbi Kosovën. //ii

XS
SM
MD
LG