Lidhje

Myslimanët e Amerikës përgatiten për udhëtimin e haxhillëkut


Myslimanë nga mbarë bota po mblidhen në Mekë të Arabisë Saudite për ritualin fetar të haxhillëkut që fillon më 18 dhjetor. Ky ritual i përvitshëm mbahet në muajin e 12 sipas kalendarit hënor mysliman dhe është një udhëtim që duhet ta kryejë çdo mysliman.

Mbi dy milionë njerëz nga mbarë bota, mes tyre edhe 12 mijë amerikanë, pritet të mblidhen në vendet e shenjta të Arabisë Saudite këtë vit për haxhillëkun. Numri i atyre që e kryejnë këtë ritual i cili është një detyrë për çdo mysliman të aftë për ta bërë atë po rritet çdo vit. Për Fouzia Azizin kjo është hera e parë që shkon në Mekë.

”Prej një kohe të gjatë kam dashur të shkoj në Mekë por kam pasur fëmijët e vegjël që ishin në shkollë. Tani që ata e kanë mbaruar shkollën dhe disa janë martuar, kemi rastin ta kryejmë këtë detyrim tonin fetar.”

Ish lejtnanti i ushtrisë afgane Aziz Azizi thotë se është i lumtur që jeton në një vend si Shtetet e Bashkuara i cili lejon lirinë fetare.

”Ne si gjithë të tjerët mund të kemi xhaminë tonë dhe mund të falemi në çdo kohë dhe çdokund pa kurrfarë pengesash. Në Shtetet e Bashkuara ne mund të kryejmë të gjitha aktivitetet fetare dhe nuk kemi ndonjë problem kur vendosim të shkojmë për haxhillëk.”

Udhëtimi drejt Mekës është i shtrenjtë dhe i vështirë dhe për këtë arsye Fouza Azizi i është drejtuar një agjensie turistike e cila ofron shërbime të tilla. Kjo agjensi jep edhe udhëzime se si duhet të kryhen ritualet e haxhillekut.

Valid Abusharku drejton një grup prej 50 vetësh nga shteti i Virxhinias që shkojnë këtë vit në Mekë.

”Ne jemi një grup ndërkombëtar që shkojmë në haxhillëk. Kemi njerëz nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara, Tunizia, Jemeni, Egjipti, Sudani, Maroku etj.”

Ceremonitë gjashtëditore të haxhillëkut përfshijnë rituale, falje dhe takime me myslimanë nga mbarë bota. //ii

XS
SM
MD
LG