Lidhje

Pikes Peak – sot, mali më i vizituar në Amerikën Veriore


Pike's Peak është një nga malet më të famshme në Shtetet e Bashkuara. Ai ndodhet në pjesën lindore të Vargmaleve Shkëmbore dhe simbolizon periudhën e Etheve të Arit në perëndimin amerikan nga mesi i viteve 1800. Ky mal 4 mijë e 300 metra i lartë në Kolorado, ka shërbyer si frymëzim për njërën nga këngët patriotike më të njohura amerikane dhe sot është mali më i vizituar në Amerikën Veriore.

Pike's Peak e mori emrin nga Zebulon Pike, i cili e pa atë për herë të parë në vitin 1806. Ai u përpoq që t’i ngjitej majit në nëntor të atij viti. Bora i vinte deri tek gjoksi dhe ai ishte veshur me rroba pambuku të pamjaftueshme për motin e ftohtë. Madje nuk kishte as çorape në këmbë. Pas tri ditë përpjekjesh për të arritur majën, Zebulon Pike u kthye mbrapsht, dhe tha se asnjë këmbë njeriu nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje të ngjitet atje. E megjithatë, sot ka një autostradë, një tren dhe një rrugë këmbësorësh dhe që të treja të çojnë pikërisht në majën e malit.

Barbara Pfeifer, e cila punon këtu si roje, thotë se sot në majën e malit, ngjiten çdo vit gjysëm milionë vizitorë.

"Kjo është maja e 31 më e lartë në shtetin e Kolorados. Ka edhe maja më të larta se kjo. Ka gjithsej 54 male me pothuajse këtë lartësi. Por kjo është më e famshmja, sepse është maja më e lartë lindore. Pra, kur njerëzit vijnë nga lindja për në perëndim, kjo është pika më e lartë, objekti i parë që ata dallojnë nga larg. Kjo majë shërbente dikur si udhërrëfyese për banorët e parë."

Historia e këtyre banorëve ruhet në këtë muze që ndodhet në Kolorado Springs. Matt Mayberry, drejtor i Muzeut, thotë se Pikes Peak dikur ishte simboli i rendjes drejt floririt në zonën e Kolorados.

Në vitin 1859, ethet e arit sollën me qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota, deri nga Kina, për të eksploruar burimet natyrore që ndodhen këtu. Me mijëra njerëz ndoqën më pas hapat e tyre për të fituar para nga vetë minatorët e arit: për t’u shitur atyre mallra, për t’u ofruar strehim, për të ngritur ferma, për ndërtimin e hekurudhave, e të tjera.

Sot, turistët nga e gjithë bota e vizitojnë malin, jo më për floririn, por për pamjet mahnitëse nga maja. Në udhëtimin e tyre drejt majës së malit, vizitorët kalojnë para disa zonave të dallueshme të jetës bimore dhe shtazore: nga lëndinat me bar dhe me lule, në shkretëtirat dhe shkurret, para një pylli me pisha dhe me bredha, e deri në majën e malit, plot lule të vogla dhe myshqe. Gjatë rrugës vizitorët shpesh kanë rastin të shohin edhe disa nga kafshët e egra që jetojnë në këtë zonë.//ii

XS
SM
MD
LG