Lidhje

Vihet për shitje një nga 17 kopjet e Magna Kartës


Magna Karta konsiderohet një nga dokumentet më të rëndësishme të demokracisë. Ajo u krijua në vitin 1215 dhe u rishkrua dhe hyri në ligjin anglez në vitin 1297. Nga 17 kopjet e saj që ekzistojnë sot, vetëm një prej tyre e shkruar në vitin 1297 – do të shitet në ankand më 18 dhjetor në New York dhe pritet të kapë shumën e disa dhjetra miliona dollarëve.

Magna Karta me një shkrim të vogël dhe të imët, i shkruar në latinishten mesjetare duhet lexuar me lupe edhe në qoftë se e kupton gjuhën. Për më tepër, ky dokument 700 vjeçar, elegant dhe i ruajtur me kujdes e ka entuziasmuar së tepërmi atë që do ta shesë në ankand, nënkryetarin e firmës Sotheby, David Redden.

"Shumë nga idetë që ne i konsiderojmë sot si të drejtat tona kombëtare e kanë origjinën tek ky dokument i jashtëzakonshëm”.

Kjo është Magna Karta, e shkruar fillimisht nën Mbretin anglez John në vitin 1215 dhe më pas u rishkrua në Mbretin Edward i parë në vitin 1297. Magna Karta do të thotë “Karta e Madhe” dhe një nga të drejtat themelore që përmban ajo është se asnjë njeri nuk qendron mbi ligjin.

Qëllimi i këtij dokumenti ishte përcaktimi i të drejtave të njerëzve nën sundimin e mbretit. Ajo krijoi normat e shtetit ligjor që shërbyen si bazë e shumicës së parimeve themeltare mbi të cilat u krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Kjo është parardhësja më e herëshme e dokumenteve tona madhështore, si Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, apo Billi i të Drejtave. Ajo ka një kuptim të madh për vendin tonë, pasi ai është krijuar në bazë të ligjit anglez”.

Çdo herë që Magna Karta u rishkrua në shekullin e 13-të, kopje të saj u shpërndanë në gjithë mbretërinë angleze. Historianët besojnë se origjinali, i ruajtur nga Mbreti John në vitin 1215, nuk i mbijetoi kohës, nga kopjet e tjera, 15 janë në Angli, një në Australi dhe një tjetër diku gjetkë.

Kopja e Magna Kartës që do të shihet nga Sotheby vjen nëpërmjet një fondacioni të miliarderit nga Teksasi, dikur kandidat për president, Ross Perot. Fondacioni Perot ia bleu atë në vitet 80-të një familjeje angleze që e kishte ruajtur prej 6 shekujsh, për ta vendosur në Arkivat Kombëtare amerikane së bashku me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën, ku ajo është mbajtur tashmë për 20 vjet.

Sotheby llogarit që kopja e Magna Kartës që do të nxirret në ankand më 18 dhjetor mund të kapi një shumë prej 20 milion deri në 30 milion dollarë, që do të ishte disa herë më e madhe se sa një tjetër dokument i rëndësishëm që ka shitur David Redden në ankand. Në vitin 2000, ai shiti një kopje të rrallë të Deklaratës amerikane të Pavarësisë, për 8.1 milionë dollarë. //iç//

XS
SM
MD
LG