Lidhje

Parlamenti i Irakut dënoi goditjet ajrore të Turqisë


Parlamenti i Irakut dënoi goditjet ajrore të ndërmarra nga Turqia ndaj rajonit kurd në Irakun verior, duke i cilësuar si një shkelje e rëndë e sovranitetit të Irakut.

Ligjvënësit irakianë e bënë këtë vlerësim sot në përgjigje të sulmeve të ndërmarra dje nga avionët turq në malet Qandil të Irakut.

Turqia thotë se sulmet kishin në shenjestër vetëm bazat e kryengritësve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK. Por zyrtarët kurdë të Irakut thanë se një numër fshatrash pësuan dëme të rënda dhe të paktën një civil mbeti i vrarë. Kryengritësiut thonë se 5 luftëtarë të tyre u vranë.

Ministri i Jashtëm irakian Hoshiar Zebari tha se me sa duket goditjet turke bazoheshin në të dhëna të gabuara, pasi shkaktuan dëme edhe në civilë. Ai shtoi se Ankaraja duhet të bashkërendojë sulmet që mund të ndërmarrë në të ardhmen kundër kryengritësve në Irak me qeverinë e Bagdatit.

Zyrtarët amerikanë pohuan se kishin marrë paralajmërim nga Ankaraja për sulmet e djeshme, por nuk pranuan të thonin nëse i kishin autorizuar ato. (ze)

XS
SM
MD
LG