Lidhje

Presidenti Bush do të vizitojë Lindjen e Mesme


Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Bush do të vizitojë Izraelin dhe Bregun Perëndimor muajin e ardhshëm në kuadrin e një turneu nëntë ditor në Lindjen e Mesme.

Udhëtimi i Presidentit Bush në Izrael dhe në Bregun Perëndimor që fillon më 8 janar do të jetë i pari që kur ai u bë president. Më pas zoti Bush do të shkojë në Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe në Egjipt. Presidenti Bush do të kthehet në Uashington më 16 janar.

Shtëpia e Bardhë thotë se vizita e zotit Bush ka për qëllim inkurajimin e bisedimeve për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve që rifilluan në nëntor në Anapolis të shtetit amerikan Mariland. Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se qëllimi i vizitës është edhe nxitja e pajtimit mes vendeve arabe dhe Izraelit.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Presidenti Bush do të ritheksojë angazhimin amerikan për sigurimin e aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, veçanërisht në vendet e Gjirit. Ajo thotë po ashtu se bisedimet e tij me udhëheqësit rajonalë do të përfshijnë edhe zhvillimet në Irak dhe Iran, si dhe marrëdhëniet ekonomike mes tyre.//lk

XS
SM
MD
LG