Lidhje

Ekspertë të ekonomisë në Kosovë diskutojnë mbi pasojat e mundshme të një bllokade ekonomike nga Serbia


Ekspertë të ekonomisë në Kosovë thanë sot se nuk ka asnjë arsye për shqetësim në rast të mbylljes së kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë. Në një rast të tillë humbësit më të mëdhenjtë do të ishin prodhuesit serb, thanë ata. Autoritetet e Beogradit kanë paralajmëruara se Serbia do t’i mbyll të gjitha pikat kufitare me Kosovën në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

Drejtori Ekzekutiv i intitutit për Studime të Avancuaranë GAP, Shpend Ahmeti, thotë se mbyllja e tri pikave kryesore kufitare nuk do të shkaktonte probleme të mëdha për ekonominë e Kosovës në aspektin e furnizimit, pasi që shumica e tregtisë është njëkahshe nga Serbia në Kosovë, dhe humbjet do t’i pësonin prodhuesit dhe ekonomia serbe.

Humbësit më të mëdhenj nga mbyllja e kufirit potencial do të jenë vet prodhuesit serb. Në Kosovë mund të shkaktohet një ndërprerje e zinxhirit furnizues, por kjo vetëm në aspektin afatshkurtër, sepse në aspektin afatgjatë nuk do të kemi kurrfarë problemi. Në periudhën afatshkurtër mund të ketë ngritje eventuale të çmimeve, por ajo ngritje mund të vjen vetëm nga paniku i popullatës, në periudhën afatgjatë Kosova nuk do të ketë vështirësi pasi që produktet mund të zëvendësohen dhe mund të gjejnë rrugë të tjera për të arritur në Kosovë.... Prandaj, ne do të donim t'i thonim edhe popullit, edhe Ekipit të unitetit dhe Qeverisë se nuk hapësirë për panik, por prapëseprapë duhet që këto gjëra të planifikohen që në rast të mbylljes së kufirit, t'i kemi politikat e gatshme dhe të reagojmë ndaj qeverisë serbe...", thotë drejtori Ekzekutiv i Institutit GAP.

Zoti Ahmeti sqaron se shumica e mallrave që vijnë nga Serbia, apo përmes Serbisë janë mallra jo strategjike, të cilat mund të hyjnë nëpër rrugë të tjera. Përfaqësuesi i Shërbimit Doganor të Kosovës, Ardian Jashari, thotë ndërkaq se Shërbimin Doganor të Kosovës tashmë ka hartuar planin operacional në rast të ndonjë bllokade eventuale nga Serbia.

Shërbimi Doganor i Kosovës është një institucion i cili prej informatave në terren e ndërton edhe politikën operacionale. Kështu, në rast se eventualisht bëhet mbyllja e kufirit, pra aplikohet bllokada e paralajmëruar nga shteti Serb ndaj Kosovës, atëherë SHDK ka planin e tij operacional,... Nëse ndodh një bllokim i tillë, ne jemi të përgatitur se do të rritet volumi i importit nëpër pikët tjera doganore si Hani i Elezit, Peja , Aeroporti i Prishtinës.... Andaj, ne jemi duke e shqyrtuar këtë plan i cili ende është në fazën e përgatitjes”, thotë zoti Jashari.

Ekspertë të ekonomisë në Kosovë u bënë thirrje autoriteteve që të shqyrtojë mundësinë për gjetjen e rrugëve alternative për importim mallërash në rast nevoje. (ze)

XS
SM
MD
LG